Politikë

460 mijë euro...ku shkuan? Berisha-Kokës: Thuaje vetë, mos ta them unë! 'Mesazh' Kryemadhit: Fol në publik, jo tek SPAK (REPLIKAT)

Të gjithë reagimin zinxhir e nis një deklaratë që ish-ministri i Mjedisit (nga radhët e LSI) Lefter Koka bëri në gjyqin për inceneratorin e Elbasanit.

k.m.

460 mijë euro...ku shkuan? Berisha-Kokës: Thuaje vetë, mos ta
Lefter Koka, Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe Sali Berisha

TIRANË- Mesazhe, prapaskena...kërkesa! Diçka po ndodh mes kryedemokratit Sali Berisha dhe deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi. Të gjithë reagimin zinxhir e nis një deklaratë që ish-ministri i Mjedisit (nga radhët e LSI) Lefter Koka bëri në gjyqin për inceneratorin e Elbasanit. Një ditë pas arrestimit të Ilir Metës, Koka foli me tone të forta në sallën e gjyqit duke drejtuar gishtin nga çifti Meta-Kryemadhi. Kur prokurorët përsëritën edhe njëherë akuzën e rezervimit të biletave, Koka ka nisur që të përmendë emra. Bëhet fjalë për Monika Kryemadhin. Për të, nuk është ai "peshku i madh" i historisë së inceneratorit dhe kërkoi nga hetuesit që, edhe pse e kanë bërë tashmë, të hapin telefonin e Kryemadhit dhe të nxjerrin bisedat e saj. 

"Jam i pafajshëm, e di gjithë Durrësi që jam biznesmen, nuk kam pasur nevojë të më blejë njeri bileta. As Mirel Mërtiri. E keni gabim e dëgjova prokurorin sot dhe ky është fiks kallëzimi i Monika Kryemadhit. Ata janë manipulatorë si Monika si Iliri, ai manipuloi situatën për të hequr në departament edhe një ambasador se besuan Ilirin. Doni të luftoni korrupsionin? Hapni telefonin e Monika Kryemadhit. Peshkoni tek telefoni i Monika Kryemadhit, atje do dalë korrupsioni. Nuk e dënoni korrupsionin me mua. Unë isha ideatori? Unë i shpika koncesionet? Binduni që nuk jam unë peshku i madh dhe nuk do ta luftoni korrupsionin me Lefter Kokën. Në një moment u gjeta në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.

Megjithëse u bë një vit hetim, konkluzionet e prokurorëve janë pa asnjë ndryshim. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilietet, edhe kjo Gjykatë do jetë presion por besoj që bëni drejtësi dhe do ngriheni në nivelin e duhur të integritetit.  Në këtë histori nuk jam unë peshku i madh! Jam i pafajshëm, nuk më dënoni dot për korrupsion. Ju e ndatë dosjen që të më dënoni sa më shumë,"-tha në fjalën e tij Koka. 

Kaq mjaftoi! Lajmi u shpërnda kudo, edhe në telefonin e Sali Berishës, i cili edhe pse në "arrest shtëpie" nuk ngurroi që të dërgonte një mesazh për Kryemadhin. Po atë ditë, mbrëmjen e 25 tetorit, Berisha u kërkoi si Kryemadhit ashtu edhe ish-ministrit të Mjedisi, Lefter Koka që të flisnin për ‘peshkun e madh’ të 460 mijë eurove të inceneratorëve, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama. Kreu i PD-së akuzoi tërthorazi Kryemadhin se ajo i ka dhënë kryeministrit Edi Rama shumën prej 460 mijë eurove, ndërsa i bëri thirrje asaj që të sqaronte se kujt ia kishte dorëzuar këto para. 

“Sot personi të cilin e kemi quajtur gjithnjë ‘ladro utile’, hajdut i dobishëm, Lefter Kokës i erdhën dy pare mend. Iu rikthye edhe guximi. Sot, në sallën e gjyqit, ai deklaroi se nuk jam unë autori i djegësve, se ‘peshku i madh’ është në telefonin e zonjës Kryemadhi. Miq, Lefter Koka deklaroi me përgjegjësi para gjyqit se ‘peshku i madh’ është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama. I bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjthë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për ‘peshkun e madh’, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro. Të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave. Unë e kuptoj se çdo deklaratë që bëni, e bllokon mercenar Altin Dumani, që është shndërruar në galloshen e Edi Ramës. Por, çdo politikan dhe çdo qytetar ka detyrim madhor t’u rrëfejë të vërtetën qytetarëve të tyre. Dhe kur prokuroria është shndërruar në organ kriminal, është shndërruar në organizatë kriminale, atëherë është detyrë që ajo të zëvendësohet me prokurorinë publike, me denoncimin publik, me gjyqin publik ndaj shqiptarëve,”- tha Berisha.

Edhe pse Koka është në burg, Berisha i kërkoi që të nxirrte edhe më shumë fakte. Madje edhe e paralajmëroi se nëse nuk fliste Koka, do i nxirrte ai informacionet gjatë komunikimeve që ka me qytetarët dhe mediat. 

"Ne politikanët u detyrohemi me çdo gjë qytetarëve që kanë vendosur besimin tek ne. U detyrohemi atyre pas Zotit më shumë se kujtdo tjetër. Ndaj dhe cilido që disponon dëshmira, fakte, dokumente për krimet monstruoze të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe organizatave të tyre kriminale, duhet t’i bëjnë me guxim publike. Të dashur miq, sundimi i krimit është forma më e shëmtuar e diktaturave. Por si çdo diktaturë tjetër, të ardhme nuk ka. E ardhmja është e guximtarëve, e ardhmja është e qytetarëve që mbrojnë parimet që besojnë, që mbrojnë idealet që ndajnë me njëri-tjetrin. Unë prapë i bëj thirrje Lefter Kokës: Lefter, katër vjet më parë, jo më kot je ftuar nga opozita që të bësh të pandehurin e drejtësisë. Koha të dha të drejtë. Për mercenarët e Skapit çdo gjë që t’u thoshe, do varrosje më thellë akuzat tua. Kurse tani të takon t’i bësh publike, të ngrihesh në lartësinë e guximit njerëzor dhe t’ua përplasësh në fytyrë këtyre hajdutëve që të keqpërdorën, që të kërcënuan, që të mashtruan. E di ti vetë, i di vetë të gjitha këto, mos më bëj t’i them haptas,"- tha Berisha.

Por, sot në një konferencë me gazetarët, Berisha u shfaqe me tone më të buta. Teksa u pyet nëse me thirrjen e 3 netëve më parë po i kërkonte Kryemadhit që të kthehej në një "bashkëpunëtore të drejtësisë", Berisha devijoi duke sulmuar sërish kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Sipas Berishës, kthimi i Kryemadhit në një ‘pentito’ do të ishte njësoj sikur të rrëfehej përpara vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.

Pjesë nga konferenca:

Pyetje: Ju e keni bërë të qartë tashmë mbështetjen për aleatin tuaj, Ilir Metën për situatën e tij juridike. Pak ditë më parë i kërkuar Monika Kryemadhit ti tregojë shqiptarëve se cili është peshku i madh dhe të informojë se në cilin rast; i ka dorëzuar Edi Ramës, 460 mijë euro. A është kjo një thirrje ndaj Monika Kryemadhit që të bëhet bashkëpunëtore e drejtësisë.

Sali Berisha: Të akuzosh Ilir Metën se ke porositur një shtëpi te një biznesmen dhe i ke marrë përsipër për të votuar një ligj, në një kohë që mercenar Dumani thotë se ke anuluar blerjen e shtëpisë, por thotë se ligjin e ke kaluar. Duhet të kesh atë fytyrë që kanë, të shkruar në këtë mënyrë para shqiptarëve. Ligjin nuk e kalon Ilir Meta me 20 deputetë, ligjet i kalon Edi Rama me 67 deputetë që kishte. Ligji, për të cilin Dumani pafytyrësisht akuzon Metën se u kalua, në fjalimin panagjerik të Edi Ramës në parlament për këtë ligj ju do gjeni superlativat më të rralla për një ligj. Çfarë fytyre kanë këta njerëz që këndej akuzojnë se kalove ligjin, kur e dinë se ligji nuk kalon me 20 deputetë, dhe nuk guxojnë të thërrasin Edi Ramën që kaloi të njëjtin ligj. A nuk është kjo një turp-drejtësi? Tani, vijmë tek rasti i zonjës Kryemadhi. Zonja Kryemadhi është një politikane që në rininë e saj. Politikani ka për gjykatës publikun në radhë të parë, asnjë nuk qëndron mbi ligjin, por personalisht ndjej se çdo politikan duhet të qëndrojë transparent dhe të bëjë transparencë para së gjithash publikut, aty është detyrimi. A e kuptoni ju se Altin Dumani është ndoshta më kriminel se Nuredini? Sepse Nuredini ka kryer vrasje, po i ka pohuar ato, i ka rrëfyer aty, i ka treguar ato. Kurse Dumani është një mashtrues ordiner, një njeri që fsheh krimet, që përdor krimet për pengmarrje, që zbaton urdhrat të atyre që e kanë marrë peng. Nuk mund të imagjinohen gjëra të tilla. Pra, çdo politikan, çdo qytetar duhet të qëndrojë me transparencë para kësaj drejtësie të inkriminuar në çdo qelizë, siç fakton ky studim. 

Pyetje: Prap unë nuk mora një përgjigje konkretisht nga ju. A po i kërkoni Monika Kryemadhit të kthehet në një të penduar të drejtësisë, apo pranoni që deklarata juaj, ishte një lapsus.

Sali Berisha: Tani, do na falni pak, por unë përgjigje nuk mund të jepja se sa të krahasoja Altinin me Nuredinin. Çka nënkuptoja se për mua ishte njëlloj si të më thoshin se a duhet të bëhet e penduar Monika Kryemadhi tek Nuredin Dumani. Këtë nuk mund të ma thuash dhe unë nuk mund t’ia them kujt këtë.

Pra, për Berishën, nëse Kryemadhi vendos të rrëfehet duhet ta bëjë publikisht dhe jo pranë SPAK. Por për kë? 

Një përgjigje shkurt ka dhënë edhe kjo e fundit sot përpara se të futej në sallën e Kuvendit. E rrethuar nga gazetarët, Monika Kryemadhi u ndal për një deklaratë të shkurtër për gazetarët, ku u kërkoi atyre që të merren seriozisht me kryeministrin Edi Rama, pasi siç tha ajo është peshku i madh në telefonin e saj. Shkurt, por prerë iu përgjigj edhe Berishës, duke u shprehur se lideri demokrat mund ta ketë ngarruar duke i përmendur një emër "jo shumë të pëlqyer" për opozitën...ish-ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vllahutin.

“Doktori...nuk është e vërtetë, do t'ja kenë ngatërruar. Mos e ka fjalën për buxhetin që Romana Vlahutin kishte marrë nga Rama për të blerë deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi”.

Kjo çështje deri më tani ësht mbyllur me kaq dhe më shumë detaje mund të japë ose vetë Berisha, ose Kryemadhi me faktet që pretendon që ka. Ndërkohë për këtë çështje nuk ka komentuar asgjë kreu i PL-së, Ilir Meta. Edhe pse publikoi një letër të gjatë nga burgu, shumën prej 460 mijë eurove nuk e përmendi!/ZËRI

Poll

MOS HUMB