Politikë

"S'jam unë peshku i madh!"/ "Bomba" e Lefter Kokës në gjyqin për inceneratorët: Hapni telefonin e Monika Kryemadhit

Lefter Koka duket se është informuar për zhvillimet më të fundit të politikës dhe arrestimin e ish-shefit të tij në (asokohe LSI), Ilir Meta.

k.m.
"S'jam unë peshku i madh!"/ "Bomba" e Lefter
Lefter Koka dhe Monika Kryemadhi

TIRANË- Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka "shpërthyer" në seancën e sotme që po mbahet në Apelin e GJKKO-së, për inceneratorin e Elbasanit. Edhe pse në burg prej disa vitesh, Koka duket se është informuar për zhvillimet më të fundit të politikës dhe arrestimin e ish-shefit të tij në (asokohe LSI), Ilir Meta. Me tone të larta, kur prokurorët përsëritën edhe njëherë akuzën e rezervimit të biletave, Koka ka nisur që të përmendë emra. Bëhet fjalë për Monika Kryemadhin. Për të, nuk është ai "peshku i madh" i historisë së inceneratorit dhe kërkoi nga hetuesit që, edhe pse e kanë bërë tashmë, të hapin telefonin e Kryemadhit dhe të nxjerrin bisedat e saj. 

"Jam i pafajshëm, e di gjithë Durrësi që jam biznesmen, nuk kam pasur nevojë të më blejë njeri bileta. As Mirel Mërtiri. E keni gabim e dëgjova prokurorin sot dhe ky është fiks kallëzimi i Monika Kryemadhit. Ata janë manipulatorë si Monika si Iliri, ai manipuloi situatën për të hequr në departament edhe një ambasador se besuan Ilirin. Doni të luftoni korrupsionin? Hapni telefonin e Monika Kryemadhit. Nuk e dënoni korrupsionin me mua. 

Megjithëse u bë një vit hetim, konkluzionet e prokurorëve janë pa asnjë ndryshim. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilietet, edhe kjo Gjykatë do jetë presion por besoj që bëni drejtësi dhe do ngriheni në nivelin e duhur të integritetit.  Në këtë histori nuk jam unë peshku i madh! Jam i pafajshëm, nuk më dënoni dot për korrupsion. Ju e ndatë dosjen që të më dënoni sa më shumë,"-tha në fjalën e tij Koka. 

Por ç'ka telefoni i Monika Kryemadhit?

Nga bisedat që kanë mundur të marrin nga ky aparat celular, SPAK ka ngritur një dosje të tërë për çiftin Meta-Kryemadhi, duke ngritur 3 akuza penale për të dy; korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Teksa shkonte në SPAK, Kryemadhi është shprehur se në telefoni i saj nuk ka pasur asgjë tjetër veç "dashuriçkave dhe thashethemeve" që ka bërë me vetë kryeministrin Edi Rama dhe ministrat socialistë.

Ndërsa për vetë Kokën, në të shkuarën, kur ka qenë në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaronte publikisht se partia e saj nuk ka pasur dijeni për për shkeljet e ish-ministrit Lefter Koka për çështjen e inceneratorëve. Ajo shtonte se dokumentet për të i kishte dërguar në SPAK që në vitin 2017, kohë kur ai kishte kaluar në anën e socialistëve.

“Lefter Koka ka ikur në LSI që në momentin kur Monika Kryemadhi ka dalë në mbrojtje të popullit të Fierit për inceneratorin e Fierit. Kjo është bërë publike se keni një fjalim të Lefter Kokës në parlament që doli dhe mbrojti Edi Ramën. Nuk i kam pasur dokuemntet e Lefter Kokës për inceneratorin. Unë kam përshtypjen që dokumentet më kanë ardhur me e-mail dhe kam përshtypjen që dokumentet kanë qenë prej kohësh në SPAK, pra që në 2017, pa ikur LSI-ja nga qeveria. Është një gazetar investigartiv që është në një proces gjyqësor me Klodian Zoton. Dhe është hedhur në gjyq për shpifje. Unë në dijeninë time, nuk kam pasur dijeni. Asnjë nga ministrat tanë e kanë kundërshtuar çështjen e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit. Inceneratori i Elbasanit është firmosur nga Nasip Naço. Unë nuk kisha informacion. Meqënëse procesi është bërë brenda 9 orësh, 16 firma, nuk është njoftuar as LSI-ja, përveç Nasip Naços dhe Lefter Kokës nuk ka pasur asnjë ministër tjetër që të ketë pasur dijeni. Prishjen, ndryshimin e fatit të koncesionit të incveneratorit e kanë ndërruar zoti Aqif Bllako dhe Veliaj. Edhe sikur të kishte dijeni LSI-ja, ka bërë gabim që nuk ka reaguar. Në dijeninë time nuk ka pasur dijeni LSI” – thoshte Kryemadhi.

Pse akuzohet Koka?

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme ndryshimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë. SPAK kërkon që mbi Lefter Kokën të shtohet edhe akuza për “shpërdorim detyre”. Ndaj edhe sot çështja e inceneratorit të Elbasanit të rihapet në Apel. Prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, ndërsa për Kokën kërkojnë t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre” që dënohet me burgim deri në 7 vjet.

Aktualisht, ish-ministri Lefter Koka ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Në shtator të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme shpalli vendimet për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, për Lefter Kokën dhe personat e tjerë të akuzuar. Ish-ministri i Mjedisit u dënua me 6.8 vite burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Lefter Koka është shpallur fajtor për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim./ZËRI

Poll

MOS HUMB