
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një thirrje për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në konferencën me gazetarët, Berisha i ka kërkuar që ta presin kryeministrin Edi Rama me përplasje. Të shtunën, më 26 tetor, Rama do të mbajë takimin e parë me shqiptarët në SHBA, në kuadër të turit të diasporës.
"U bëj thirrje sot të gjithë atyre shqiptarëve në Nju York dhe kudo që janë të përdorin vezë dhe domate kundër kreut të narkokrimit shqiptar që vjen për të kërkuar votën e tyre. U them këtyre bashkëatdhetarëve fisnikë burra dhe gra se ju si diasporë keni një rol të dytë historik për të luajtur. Duhet të dilni kundër emisionit në Shqipëri. Jepni kontributin tuaj kundër narkodiktaturës në Shqipëri, e cila po e shkatëron identitetin e këtij kombi se çdo pushtim tjetër në historinë e Shqipërisë,"- tha Berisha.
4 muaj më parë, Rama vizitoi shqiptarët që jetojnë në Milano dhe në Athinë, ndërkohë që kishte planifikuar edhe një takim në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani. Por mesa duket ka vendosur që në axhendë të vendosë edhe shqiptarët që jetojnë përtej Atlantikut.
Kjo nismë përkon edhe me faktin që për herë të parë në Shqipëri, vitin që vjen do të implementohet edhe vota e diasporës, ku emigrantët do të votojnë me postë. E ndërkohë që Rama ka nisur turin, opozita nga ana tjetër ka zhvilluar vetëm një takim në SHBA, ku kishte dërguar drejtuesin politik të qarkut të Tiranës, Belind Këlliçin./ZËRI