
TIRANË-Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Joleza Koka ka kërkuar shtyrjen e protestës së opozitës ditën e nesërme, me arsyetimin se është në të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit. Koka shprehet se protestat e mbajtura nga PL dhe Rithemelimi kanë qenë të dhunshme dhe herët e tjera janë lënduar disa anëtarë të Këshillit. Sipas saj, nëse opozita do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit duhet të shtyjë orën e protestës, për të mos vënë në rrezik fizik apo psikologjik dikë. Përndryshe, anëtarja e PS ka propozuar që të mos i jepet leje që opozita ta zhvillojë protestën në këtë orar.
"Në orarin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak nesër është lajmëruar nga ana e opozitës protestë. Kemi parë në ditët e kaluara që kolegë të Këshillit Bashkiak janë dëmtuar fizikisht gjatë protestave, si dhe i është vënë flakë hyrjes së Bashkisë. Nëse kolegët e opozitës do të marrin pjesë në mbledhje do duhet të shtyjnë orarin e protestës pas mbledhjes së Këshillit, duke mos vënë në rrezik fizik apo psikologjik asnjë njeri. Në të kundërt, propozoj që të mos i jepet leje opozitës të mbaj protestë në orarin e caktuar për të diskutuar mbi tema me rëndësi për qytetin, brenda në sallën e Këshillit Bashkiak,"-shkruan në email Koka.

Ndërkohë një përgjigje i ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, i cili ka shkruar se protestua do të bëhet pasi është një e drejtë që nuk mund të mohohet.
'Protesta është e drejtë kushtetuese dhe qytetare! Pikë! Nuk ka forcë që t’i mohojë popullit këtë të drejtë dhe as t’i përcaktojë ku, kur dhe për çfarë të protestojë! Populli është sovrani në Republikën e Shqipërisë! “Rilindja” mund të ndalë SPAK-un të arrestojë pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës dhe kryetarin e organizatës kriminale 5D, Erion Veliaj, por nuk mundet kurrë të ndalë zemëratën e popullit të vjedhur dhe të dhunuar prej tij për të protestuar në mbrojtje të lirive dhe të drejtave. Edhe “Shoqja Lenka” kishte më shumë dinjitet se kjo “Shoqja Rilindase” e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që keqpërdoret nga Erion Veliaj dhe Edi Rama duke kërkuar të mos i jepet leje popullit për të protestuar! Veliaj dhe Rama nuk mund të fshihen pas fustaneve! Ata do të japin llogari para popullit shqiptar! Ftojmë çdo qytetar nesër në ora 16:30, para Bashkisë së Tiranës, në protestë kundër hajdutërisë dhe korrupsionit, për të shpëtuar kryeqytetin nga mafia e inceneratorëve dhe organizata kriminale 5D!"-shkruan Blushi në postimin e tij.
Protesta do të jetë e katërta në radhë para Bashkisë së Tiranës në lidhje me dosjen "5D". Në tubimet e zhvilluara më herët nuk kanë munguar incidentet, si hedhja e bojës apo e koktejleve molotov në drejtim të godinës së Bashkisë. Pikërisht këto incidente sollën edhe reagimin e ambasadave./ZËRI