Politikë

A po i tregoni forcën SPAK-ut? Berisha: Nga e hëna protestat do të jenë pa ndalim

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka deklaruar se protestat që do të fillojnë të hënën, do të pasohen nga të tjera, të cilat i cilëson “zinxhir”

E.K
A po i tregoni forcën SPAK-ut? Berisha: Nga e hëna protestat do
Sali Berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetari i Zëri-t, Edon Kuqi, nëse protesta e thirrur të hënën para Kryesisë së Kuvendit, ku diskutohet mandati i tij, është një tregim force për vendimin e SPAK. Berisha tha se protestat bëhen kundër Edi Ramës, dhe janë vijim i aksionit të deputetëve në sallën e Kuvendit.

“S’ka asnjë lidhje me SPAK, ka lidhje vetëm me Edi Ramën, është vazhdim i protestave tona, edhe të enjten do të jemi përpara parlamentit dhe protestat tani do të jenë pa ndalim”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, i pyetur se si do e drejtojë PD-në në rast se do të arrestohet, dhe a do mund ta bëjë këtë forcë politike fituese, Berisha u shprej: Historia ka treguar që PD do të shkojë drejt fitores, nuk më mbetet mua që të bëj vlerësimin.

Ish-kryeministri deklaroi se protestat që do të fillojnë të hënën, do të pasohen nga të tjera, të cilat i cilëson “zinxhir”.

“Do të ketë një zinxhir protestash. Tani ne fillojmë stinën e protestave. Projekti modifikohet dhe fillohet me protesta, madje dhe sporadike me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më të fuqishme. Besoj se çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është në këto protesta”, shprehet Berisha.

Kryetari i PD-së, Berisha ka deklaruar se kjo protestë nuk është për të, por për të gjithë Shqipërinë pasi sipas tij, kjo që po ndodh në vend është vendosje e diktaturës së bandave.

“Kjo është një protestë vetëm për Shqipërinë. Kemi një dallim shumë të madh me disa arsyetime të sotme. Për ata të cilët njohin totalitarizmin dhe diktaturat, kjo që ndodh në Shqipëri është në mënyrë absolute vendosje e diktaturës së bandave, por ka të tjerë, të cilët nuk mendojnë kështu sepse shohin që parlamenti ka disa forca politike, shohin që njerëzit lëvizin lirshëm, por çfarë është kjo? Diktatura e bandave nuk është kurrë diktaturë me burgje dhe kampe përqëndrimi, nuk është kurrë diktaturë me izolim. Narko-diktatura është diktaturë sepse njësoj si në diktaturën ideologjike, të gjitha pushtetet përqëndrohen në dorën e një njeriu”, shprehet Berisha.

/Zëri 

Poll

MOS HUMB