DURRËS- Partia Socialiste në Durrës feston 35-vjetorin e themelimit të saj përmes një ceremonie ku janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, janë mbajtur fjalime, madje janë ndarë edhe çmime. Kryeministri dhe njëherësh kryetari i PS-së, Edi Rama, vlerësoi rolin e kësaj force politike në transformimin e Shqipërisë ndër vite.
Rama u ndal edhe te zhvillimi i Konferencës së radhës Ndërqeveritare, e cila mbahet të martën, më 26 maj. Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria është më afër se kurrë me Bashkimin Europian. Sipas tij, nga nesër nis faza e mbylljes së grupkapitujve, me konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel.
“Qëllon edhe që dot të jetë dita përpara mbledhjes, konferencës ndërqeveritare Shqipëri BE nesër, ku do të vuloset hapja e fazës përmbyllëse të negociatave me BE. Shqipëria, pasi hapi të gjitha kapitujt në kohë rekord, tanimë konsiderohet e gatshme për të filluar nga mbyllja e kapitujve të negociatave. Konferenca e nesërme zhvillohet sipas kalendarit, me synimin e përbashkët që negociatat e anëtarësimit të mbyllen brenda 2027. Është një majë që tani e prekim me sy dhe rrugën e kemi të piketuar. Edhe kohën për ta zhvilluar atë rrugë e kemi të planifikuar. Jemi sot, më afër se asnjëherë BE”, theksoi Rama./ZËRI