
TIRANË- Shqipëria përkujton sot 8 Dhjetorin, ditën e Lëvizjes Studentore, e cila bëri të mundur rrëzimin e regjimit komunist që ishte instaluar prej afro 5 dekadash. Që prej vitit 2009, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe të gjithë rinisë shqiptare.
Ishte data 8 Dhjetor e vitit 1990 kur një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë nismëtarë dhe protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Nismëtarët ishin rreth 300, fillimisht, por brenda pak orësh u shumëfishuan dhe nisën marshimin nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës. Forcat e regjimit komunist kishin marrë urdhër që t’i bllokonin para se të dilnin tek “Rruga e Elbasanit”, që në atë kohë mbante emrin “Rruga Labinot”, në nder të fshatit që ndodhet në rrethin e Elbasanit, e ku komunistët zhvilluan një konferencë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Fillimisht ja dolën mbanë, por fitorja ishte vetëm e një beteje të vogël. Nga 9 dhjetori e në vazhdim studentët përshkallëzuan protestën dhe i dërguan një letër Ramiz Alisë me pikë kryesore pluralizimin politik.
Përballë revoltës që nuk ishte më vetëm studentore, por u shndërrua në popullore, Ramiz Alia pranoi kërkesat e tyre, që i hapën rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të para pluraliste në vitin 1991 dhe të 1992 që rrëzuan përfundimisht komunizmin.
Akti i tyre i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Në këtë ditë të rëndësishme, e cila festohet më së shumti nga Partia Demokratike, socialistët dp yë mbledhin Kongresin e Jashtëzakonshëm të tyre, ku pritet që të zbulojnë edhe programin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Ndërkohë në selinë e PD, Berisha ka njoftuar se do të zhvillohet një aktivitet me përfaqësues të Lëvizjes së Dhjetorit nën moton "Dhjetori i Historisë dhe Librave".
Në shumicën e 8 Dhjetorëve, demokratët kanë zgjedhur që të kryejnë nderime në bustin e Azem Hajdarit në Qytetin Studenti, por deri tani nuk raportohet ndonjë aktivitet për ditën e sotme.
/Zëri