Politikë

2025, viti që vulos fatin e partive të reja

ZËRI ka vendosur që të thellohet pak më shumë në profilin dhe në risitë që secili sjell në sferën politike, por vetëm numri i votave që do të grubullojnë do të tregojë nëse ngjallin shpresë, apo së paku besim tek qytetarët.

Kejsi Muça
2025, viti që vulos fatin e partive të reja
Arlind Qori, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani

TIRANË- 2025 është vit zgjedhor, ndoshta ndër më të rëndësishmit që ka shënjuar historia e Shqipërisë. Më 11 maj, qytetarët shqiptarë brenda vendit,  dhe për herë të parë të gjithë ata që jetojnë në diasporë ushtrojnë të drejtën që u jep Kushtetuta, të zgjedhin udhëheqësin për 4 vitet e ardhshme. Partia Socialiste kërkon mandatin e katërt, ndërsa Partia Demokratike lëngon për rotacionin.

Në skenë janë shfaqur emra të rinj që kanë shqetësuar jo pak “politikanët e rracës” që prej vitesh dominojnë ulëset në Kuvendin e Shqipërisë. Biznesmenë, ish-aktivistë dhe pedagogë synojnë të jenë klasa e re politike!

Me siguri janë emra që të gjithë i keni dëgjuar, por se sa do të votohen kjo mbetet në vullnetin e qytetarëve (dhe rrethanave të tjera) më 11 maj. ZËRI ka vendosur që të thellohet pak më shumë në profilin dhe në risitë që secili sjell në sferën politike, por vetëm numri i votave që do të grubullojnë do të tregojë nëse ngjallin shpresë, apo së paku besim tek qytetarët.

Shqipëria bëhet!

Adriatik Lapaj nuk është një emër i ri për ekranet apo qytetarët që së paku janë të angazhuar në rrjetet sociale. Avokat me profesion, Lapaj daton shumë kohë më parë në politikë. Për më të vëmendshmit, ai ishte një nga kandidatët për deputetë të Aleancës Kuqezi, e më pas aktivist i zëshëm, edhe si pjesë e organizatës “Nisma Thurje”. Vetëm pak kohë më parë u shënua si njëri ndër themeluesit e lëvizjes Shqipëria Bëhet. Këto zgjedhje, Lapaj ka një qëllim të qartë: të fitojë sa më shumë vota për të demonstruar edhe “muskujt” e tij.

Nisma Thurje

Në përshkrimin që i bën vetes, “Nisma THURJE”, cilësohet si e para parti centriste dhe reformiste në Shqipëri. Me Endri Shabanin dhe Pano Sokon, edhe kjo parti e re do të kërkojë vota duke shënuar si arritjen e saj më të madhe regjistrimin e parë në SPAK, atë për koncesionin e Sterilizimit. Por edhe para kësaj Nisma ishte ku kishte protesta! Për të mos thënë që ishin organizatorë të disa prej protestave më të zëshme në vend, siç ishte ajo për armët krimike. Por në aktivitetin e tyre janë ndalur edhe në pika të tjera ndoshta edhe më bazike si ato për mungesën e ujit të pijshëm apo dhe zënia e hapësirave publike në plazhe. Diverstiteti i kauzave që prekin janë ndoshta pika e tyre e fortë që u siguron gjithpërfshirjen.

“Mundësia”

Agron Shehaj prej disa muajsh është një “elektron” i lirë, por përplasja e fundit në Kuvend me deputetët e Partisë Demokratike i hoqi vizën një mundësie për bashkëpunim. Tani Agron Shehaj do të duhet të mbështetet vetëm tek “Mundësia” e tij. Fokusin, si një biznesmen i suksesshëm, e ka tek ekonomia. Ndoshta është fusha që njeh më mirë, ndoshta është kjo pika ku do të fokusohet me ekspertët që ka zgjedhur që të ketë në krah. Sa do t’i besojnë, kjo mbetet për t’u parë.

“Lëvizja Bashkë”

Arlind Qori ka hyrë këto zgjedhje për të marrë së paku një mandat, por jo tijin! E ka premtuar publikisht se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, por të zgjedhurit e tij, ndërsa vetë do të vazhdojë që të angazhohet me kauzat. Për momentin në fokusin e tij janë pensionistët, minatorët dhe të gjitha shtresat e tjera në nevojë. 

PROJEKSIONET

Në Shqipëri nuk ka exit polle, ose më saktë ka, por kontestohen nga të gjitha palët politike dhe deri më tani,  shumë rrallë kanë goditur me gjetjen e rezultatit të saktë të zgjedhjeve.

Proceset zgjedhore në vend kanë dështuar të arrijnë standardet ndërkombëtare për shkak të përsëritjes së një sërë fenomenesh negative, përfshirë mungesën e lirisë së media, shitja dhe blerja e votës, përdorimi i resurseve dhe administratës publike nga partia në pushtet, politizimi i administratës zgjedhore dhe mungesa e dialogut politik. Për harkun kohor shtator-tetor, Datacentrum dhe Barometri – Euronews Albania ka pyetur ballë për ballë 1000 qytetarë në gjithë Shqipërinë lidhur me pëlqyeshmërinë e liderëve kryesorë politikë në vend dhe liderët e partive të reja. Rezultatet janë këto:

Adriatik Lapaj, lideri i “Shqipëria Bëhet”

46.2% e qytetarëve kanë mendim pozitiv, ndërsa 24.2% e tyre kanë mendim negativ për të. Mendimi pozitiv për Adriatik Lapaj krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 5.4%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është ulur me 2.5%.

Agron Shehaj, lideri i “Mundësia”

41.7% e qytetarëve kanë mendim pozitiv, ndërsa 33.4% e tyre kanë mendim negativ për të. Mendimi pozitiv për Agron Shehaj krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 11.5%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është rritur gjithashtu me 2%.

Arlind Qori, lideri i “Lëvizja Bashkë”

31.3% e qytetarëve kanë mendim pozitiv, ndërsa 24.5% e tyre kanë mendim negativ për të. Mendimi pozitiv për Arlind Qori krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 7.5%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është rritur gjithashtu me 0.7%.

Endri Shabani, lideri i “Nismës Thurrje”

23.8% e qytetarëve kanë mendim pozitiv, ndërsa 26.8% e tyre kanë mendim negativ për të. Mendimi pozitiv për Endri Shabani krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 4.2%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është ulur gjithashtu me 6.3%.

Fjala kyçe: ka rritje! Për secilin nga kandidatët e këtyre zgjedhjeve ka një shtim të mendimit pozitiv tek qytetarët, por sa do të përkthehet në vota? Vetëm pak prej tyre janë sprovuar me qytetarët dhe rezultati ka qenë i njëjtë por asnjë mandat. Vetëm Shehaj, nën logon e Partisë  Demokratike, ka arritur që të marrë postin e deputetit. Ndaj këto zgjedhje janë të reja edhe për të. Qori nuk është sprovuar në zgjedhje parlamentare, por në lokalet e fundit, ku garoi për Bashkinë  e Tiranës mori 13,851 vota dhe u rendit i treti në garë duke marrë një mandat në Këshillin Bashkiak, ndërsa Lëvizja Bashkë fitoi një mandat në këshillin bashkiak, që i takon Mirela Rukos. Një tjetër mandat në këshillin bashkiak u mor nga Endrit Shabani i Nismës Thurje, por ndryshe nga “Lëvizja Bashkë”, kjo parti futi në kuti vetëm 6 993 vota.

Statistikat janë këto, shifrat flasin vetë! Mund të ketë vetëm përmirësim ose përkeqësim, kjo do të varet vetëm nga vullneti i qytetarëve në ditën e votimit, por prirja duket shpresëplotë për të “rinjtë” e politikës. Edhe pse përballë do të kenë fraksione të tjera të atyre që ia dinë mirë hilet e zgjedhjeve. S’kanë as vëzhgues, s’kanë as komisionerë. Për më tepër që përballë kanë të tjerë që duan hisen e tyre. Njëjtë si ta vendin e deputetit e kërkon edhe Lulzim Basha, Oriola Pampuri, Enkelejd Alibeaj and “co”. Por nu  janë më të rinj, janë po të njëjtat fytyra që minimalisht kanë 20 vite që u dalin përballë  qytetarëve, me justifikime por edhe me premtime që deri më tani kanë rezultuar boshe. Asgjë nuk ka ndryshuar, as klasa politike. A do të jetë ky vit i ri me emra të rinj në politikë? Se a do të bëjnë ndryshimin, do të kemi 4 vite para që të dëshmojmë dhe të vlerësojmë…

Poll

MOS HUMB