
SHKODËR- 14 shkurti ka mbledhur bashkë demokratët në Shkodër. Kryeqendra e veriut është qyteti i parë ku Gazment Bardhi dhe Flamur Noka kanë nisur takimet me strukturat e Partisë Demokratike. Bashkë me ta, për t'i shoqëruar në takimet e tyre ishte edhe deputetja e qarkut të Shkodrës, Greta Bardeli. Takimet me strukturat kanë nisur, ndaj edhe demokratët kanë theksuar se dyert e Partisë Demokratike janë të hapura për çdo njeri dhe për çdo demokrat. Në një prononcim që kanë pasur me gazetarët para mbledhjes, Bardhi është shprehur edhe njëherë se beson që do të ketë një bashkim edhe të grupimit "Basha", duke i ftuar edhe njëherë publikisht. Por po ashtu theksoi se njeh si kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berishën. Ndërsa nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, tha se të gjithë demokratët janë të ftuar, përveç Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt.
PRONONCIMI I BARDHIT PËR GAZETARËT:
Bardhi: Besoj që Shkodra dhe për simbolikën që përfaqëson, por edhe dega që ka qenë pjesë e një sulmi të vazhdueshëm nga qeveria dhe grupet kriminale, derisa arritën që të deformonin edhe vullnetin e qytetarëve të Shkodrës. Nuk mund të kishte alternativë tjetër për të nisur këtë tur.
Është ky një sinjal që po ndodh bashkimi?
Bardhi: Bashkimi ka ndodhur, ka një pjesë shumë të vogël të demokratëve që janë ende në një rrugë të gabuar. Gjej rastin që t'i ftoj të bashkohen kundër Edi Ramës. Rruga e tyre për të qënë përballë nesh dhe jo Edi Ramës, nuk e ndihmon Shqipërinë. Demokratët janë të bashkuar edhe në bazë, turi do të synojë që të thithë edhe ato demorkatë që janë larguar. Duhet të jenë me ne përballë Edi Ramës dhe jo opozitës.
Ka pasur një ftesë për mbështetësit e zotit Basha këtu në Shkodër?
Bardhi: Në PD, nuk dua t'i ndaj demokratët në grupime, secili prej tyre e ka vendin përballë Edi Ramës. Kush përfaqëson një rrugë tjetër, nuk është në PD.
Nga SHBA në rrugën e Salës, a keni një përgjigje për PD e Bashës?
Bardhi: Asnjë përgjigje nuk kam kohë për të humbur me batuta pa vlerë. Jam aty ku janë demokratët. Unë kam bindjen e plotë që PD është e bashkuar, ato pak kolegë do e kuptojnë se janë në rrugën e gabuar.
Do t'ju dëmtojë çështja e vulës dhe logos?
Bardhi: Nuk ka dyshim se kush është dhe ku është PD.
Pra kryetari i PD është Sali Berisha?
Bardhi: Besoj kjo është e qartë nga gjithë përgjigjet që kam dhënë. Sa kohë e ka zgjedhur shumica e anëtarëve, unë duhet që të respektoj vullnetin e tyre.
A iu dëmton fakti që e keni kryetarin në arrest shtëpie?
Bardhi: Kam bindjen që demokratët kanë ditur që të tregojnë forcën e vërtetë në momente të vështira. Na jep forcë dhe do e tejkalojmë.
PRONONCIMI I NOKËS PËR GAZETARËT:
Cili është mesazhi që përcillni sot nga Shkodra?
Noka: Shkodra është qyteti i qëndresës, qyteti i rezistencës, nga i cili ka nisur çdo përmbysje regjimesh. Pas bashkimit tonë përfundimtar, e nisëm këtë proces në Shkodër. Nga Shkodra do japim mesazhin e bashkimit në të gjithë Shqipërinë. Ajo ditë e shumëpritur po vjen. Ne do i prijmë betejës.
Pas ribashkimit do të ketë rikonstruktim të kupolës drejtuese?
Noka: Demokratët presin që PD e bashkuar të fuqizohet dhe të rrëzojë këtë regjim. Nuk është detyrë, por mision i të gjithëve ne.
Iu pengon fakti që deputetë nuk iu përgjigjen ftesës?
Noka: Dera është e hapur për çdo person që sheh rrezikun tek Edi Rama dhe regjimi i tij. Dera jonë do të mbetet e shtrirë. Për ne është e rëndësishme që qytetarët të përballen me Edi Ramën.
Edhe për Lulzim Bashën?
Noka: Për çdo demokrat dhe për çdo qytetar që është në betejë me Edi Ramën dhe regjimin. Basha dhe Alibeaj kanë provuar se janë pengje të regjimit, për të tjerët, dera është e hapur.
Që prej rikthimit të grupit "Bardhi" në selinë qëndrore të Partisë Demokratike, duke shënjuar kështu bashkimin mes dy PD-ve, demokratët kanë nisur një tur. Në të gjithë vendin do të zhvillojnë takime me demokratët, për të paraprirë kështu përgatitjet për protestën që do të zhvillohet më 20 shkurt./ZËRI