Politikë

Vizita e Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit do të qëndrojë 8 orë në Tiranë. Axhenda dhe qëllimi i takimeve

Blinken pritet që të mbërrijë rreth orës 11 në aeroportin e Rinasit, dhe do të largohet rreth orës 19-20 të pasdites

E.K
Vizita e Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit do të qëndrojë 8
Blinken viziton Tiranen

TIRANË- Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të vizitojë nesër Tiranën, dhe pritet të qëndrojë për rreth 8 orë në vendin tonë, ku do të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh. Ka qenë ish ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ajo që ka dhënë fillimisht detaje nga vizita e Blinken në Shqipëri, i cili do të ketë takime bilaterale si me kryeministrin Edi Rama, ashtu dhe me presidentin Bajram Begaj.

“Ne do të nisemi për një udhëtim me dy ndalesa në Evropë. Ndalesa e parë do të jetë në thelb një ndalesë ditore në Shqipëri që do të zgjasë nga ora 11:00 deri rreth orës 7:00 ose 8:00 të mbrëmjes. Dhe kjo është me të vërtetë një ndalesë që do të fokusohet tek e ardhmja, e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, ku mund të kujtoni se Ndihmës Sekretari Jim O’Brien kohët e fundit ishte atje për të folur për Bosnje-Hercegovinën, por në çdo rast, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e Evropës”, tha Kim gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë që detaje të mëtejshme rreth vizitës së Binken në Shqipëri, ka dhënë dhe Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Në një konferencë për shtyp, Miller njofton se vizita e Blinken në Shqipëri riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë. Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

Sekretari më pas do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Zëvendës Presidenti Harris. Ndërsa në Mynih, Sekretari Blinken do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë globalë dhe do të nënvizojë rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-së ndaj Aleancës së NATO-s. Aleanca e NATO-s ka siguruar një paqe historike si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Evropën për 75 vitet e fundit dhe po i ndihmon Shtetet e Bashkuara të ruajnë një avantazh ndaj kundërshtarëve tanë për të ardhmen.

Sekretari gjithashtu do të riafirmojë mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, do të vazhdojë diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe do të theksojë angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Do të kemi më shumë njoftime për takimet e tij individuale në Mynih gjatë udhëtimit”- deklaroi Miller.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB