Politikë

Nis vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit, Celibashi: Nesër në mesnatë përfundon procesi

Kreu i KQZ sqaroi se postieri do të shkojë deri në 3 herë në adresën e dhënë

F.I
Nis vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit, Celibashi: Nesër
Ilirjan Celibashi

TIRANË-Në Parkun Olimpik ka nisur vulosja e fletëve të votimit për diasporën, të cilët për herë të parë do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ky proces pritet të mbyllet deri nesër dhe vendosja e tyre në zarfin A që është i njëjtë për të gjithë, ndërsa në ditët në vijim do të procedohet me vendosjen e tyre në zarfet B, që janë të personalizuara për çdo votues. Zarfi B ka të kodifikuar (me barkod që e lexon vetëm KQZ) emrin e zgjedhësit, shtetin ku jeton dhe qarkun ku shkon vota. 

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i pranishëm në Parkun Olimpik shpjegoi procesin e votimit të diasporës dhe si do të funksionojë dërgesa me postë e fletëve të votimit. Celibashi njoftoi se procesi do të përfundojë më 11 prill në mesnatë. Kreu i KQZ sqaroi se postieri do të shkojë deri në 3 herë në adresën e dhënë, në ditë të ndryshme e orare të ndryshme dhe nëse nuk e gjen votuesin gjatë këtyre herëve, do të lërë një shënim për t’i kërkuar atij të shkojë brenda 3 ditësh të tërheqë zarfin në pikën më të afërt postare.

Ilirjan Celibashi: Këtu në Parkun Olimpik janë prezent dhe disa subjekte politike, që po monitorojnë procesin. Kemi nisur me futjen fletëve të votimit në zarfe. Nesër në mesnatë përfundojmë vulosjen e fletëve të votimit. Dokumentacionin zgjedhor shpresojmë ta mbyllim brenda javës. Pjesë-pjesë, fletët e votimit do shkojnë në vende të ndryshme të botës, si në Greqi, Itali, SHBA etj. Postieri shkon herën e parë dhe nëse nuk e gjen në banesë X shtetas, i lë shënim që nuk të gjeta, do ketë shënim edhe për takim deri për herë të tretë. Më pas i lihet takim në zyrë postare dhe i bëhet thirrje të paraqitet në kutinë postare.

Dërgimi parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1-3 ditë. Përgatitja e fletëve të votimit do të monitorohet me kamera 24/7. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se nga data 15 deri më 25 Prill do të bëhet shpërndarja e tyre. Emigrantëve shqiptarë iu sugjerohet që brenda 3 ditëve nga marrja e zarfit ta postojë në KQZ, pasi zarfet që vijnë pas orës 19:00 më datë 11 maj, nuk do të numërohen./ZËRI

Poll

MOS HUMB