
TIRANË-Nga data 3 mars do të ndalohet çdo procedurë rekrutimi e re në administratën shtetërore gjatë periudhës zgjedhore. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të zhvilluar sot. Lajmin e ka dhënë ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni përmes një deklarate për mediat pas mbledhjes së qeverisë.
Prendi deklaroi se procedurat e rekrutimit të nisura duhet të përfundojnë, ndërsa në asnjë ministri, institucion apo shoqëri aksionere ku shteti është pronar, nuk do të lejohet rregullimi i procedurave të reja për punësime, përveç rasteve emergjente në fushat e infrastrukturës kritike, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.
“Që prej datës 3 mars do të ndalohet çfarë do lloj procedurë rekrutimi, që të marrin në punë punonjës të rinj, procedurat e nisura duhet të përfundojnë. Në asnjë ministri, institucionet e varësive dhe në të gjitha ato shoqëria aksionere ku shteti është pronar nuk do ketë procedura të reja rekrutimi, vetëm për nevoja emergjente në fusha si infrastruktura kritike, shëndetësia, arsimi ose mbrojtja”, deklaroi Pirdeni.
Masa ka për qëllim të sigurojë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të parandalojë përdorimin e burimeve njerëzore të administratës shtetërore për ndikim politik. Ndërohë sot është nënshkruar marrëveshja për Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Marrëveshja synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025 dhe parashikon masa të koordinuara për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.
Prej ditësh, subjektet politike janë regjistruar në KQZ, ndërsa më 12 mars është afati i fundit për dërgimin e listave shumëemërore të deputetëve. Pas përfundimit të procedurave, në fillim të muajit prill do të hapet zyrtarisht edhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj./ZËRI