TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe foli për listat e kandidatëve dhe zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj të këtij viti. Braçe tha për “Vizion Plus” se nuk është kryeministri Edi Rama që vendos për emrat e kandidatëve, por drejtuesit politikë të qarqeve sjellin propozimet në Kryesinë e PS dhe më pas bëhet përzgjedhja e tyre.
Çfarë nuk duhet të bëjë gabim Edi Rama që një pjesë e deputetëve të mos i përfundojë sërish në dyert e SPAK-ut?
“Atë që ka bërë. Ka shumë njerëz që nuk do e besojnë këtë që them unë, por në atë listën e deputetëve që janë sot në parlament, apo listën e atyre kryetarëve të Bashkive që janë sot në detyrë, unë nuk rendis dot më shumë se 5-6, kryetarë Bashkie, apo 11-12 deputetë që Edi rama ka vendosur personalisht, që ky do jetë këtu, jo nuk e ka bërë këtë. Unë jam anëtar i Kryesisë së PS dhe më duhet ta them, nuk mund të bëj dot ndryshe. Ka qenë atribut i drejtuesve politokë të qarqeve bërja e listës shumë emërore të PS në qark. Ka qenë atribut i tyre dhe kanë ardhur ata në mbledhje të Kryesisë së PS me propozimet me kandidat për kryetar bashkie. Atje pastaj Rama ka ndërhyrë për të korigjuar, korrektuar apo bërë më përfshirëse listën në këtë rast, pasi duhet ta themi që një drejtues politikk qarku në këtë sistem është edhe subjektiv në atë që bën. Ka raste kur një drejtues politik qarku mendon për veten e tyre se sa për votën e tjetrit, çka e bën garën të pabarabartë brenda ndesh”, tha Braçe.
Kanë mbajtur ata kosto pas këtyre propozimeve që kanë bërë?
“Nuk besoj, por kjo është një gjë që duhet të zhvillohet, brenda PS çdokush duhet të mbajë përgjegjësi për atë që bën”, shtoi ai.
Më tej, ai tha se edhe zyrtarët e lartë, ministrat apo edhe deputetët aktualë duhet të punojnë për votat dhe të luftojnë për to.
Po ata që rishtazi shfaqen në lista, ndodhta që nuk janë dëgjuar më parë, dhe ju punoni për ta?
“Këtu unë kam një rezervë shumë të madhe. Nga këta që hyjnë për herë të parë në lista, ka që kanë qenë ministra. Normalisht ministrat nuk mund të konsiderohen si një djalë apo vajzë e re në një territor të caktuar brenda PS. Patjetër që ai në ose ajo meritojnë të mbështeten duke qenë në këtë pjesë të sigurt. Kjo kategori që kanë qenë ministra, kryetarë bashkie, apo drejtues këta duhet të jenë pjesë e fushëbetejës, ku në çdo rast ajo që duhet të prevalojë duhet të jetë merita”, u shpreh deputeti.
Ndërsa në lidhje me kolegët e tij të arrestuar ose nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, deputeti u shpreh se këto duhet të shihen si momente reflektimi brenda PS dhe të ecin me reformat kundër korrupsionit. Braçe shtoi se duhet të kenë masa shtrënguese që gjatë ushtrimit të detyrës të mendojnë se çfarë do t’u japin qytetarëve dhe jo se çfarë do të transferojnë atje ku do të jenë nesër.
Si ndihet Erion Braçe kur një pjesë e mirë e kolegëve janë në dyert e SPAK apo janë pas hekurave?
“Nuk do të doja të thoja atë që mendoj, edhe për shkak se unë besoj në institucionet e reja të drejtësisë, por edhe për arsyen tjetër që është personale dhe njerëzore, që unë nuk merrem me njerëz që janë në vështirësi. Për këtë arsye nuk do doja ta thoja atë që mendoj realisht. Patjetër që ndohem keq nga pikëpamja njerëzore por edhe politike. Por ama mendoj që ky është një moment reflektimi për vetë PS, një moment shumë i rëndësishëm për të shtyrë përpara procese dhe reforma shumë të rëndësishme që krijojnë një sistem imunitar kundër korrupsionit edhe brenda PS dhe prej saj edhe në shoqërinë shqiptare. Një seri masash parandaluese qoftë në hyrje, në momentin që ti bëhesh deputet, ministër, zv.ministër, Drejtor i Përgjithshëm apo kryetar bashkie, por edhe në dalje, që ne nuk e kemi të zhvilluar në legjislacionin tonë. Duhet të kemi masa shtrënguese që gjatë ushtrimit të detyrës ti të mendosh se çfarë do tu japësh qytetarëve dhe jo se çfarë do të transferosh atje ku ti do të jesh nesër”, përfundoi Braçe. /ZËRI