
TIRANË- Partia Demokratike ka kundërshtuar propozimin e Kolegjit Zgjedhor Qendror që zgjedhjet e vitit 2025 të zhvillohen me votim elektronik në dy qarqet, Elbasan dhe Durrës. Ky propozim u kundërshtua nga PD, sepse sipas tyre nuk ka pasur transparencë në zgjedhjet e kaluara.
“Implementimi i pjesshëm i këtij projekti, krahas disa avantazheve dhe suksesit të pjesshëm solli edhe një seri problematikash të cilat jo vetëm e cënuan rëndë procesin, por edhe minuan në mënyrë serioze besimin e publikut dhe të forcave politike në të. Pamjet filmike të operatorëve të sistemit të cilët përkundër kujdesit për mbarëvajtjen teknike të makinerive të votimit elektronik shkelën ligjin për të mbivendosur interesin partiak, duke votuar vetë në emër dhe për llogari të zgjedhësve të cilët nuk ishin aty ndërkohë që kjo përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vepër penale, dëshmojnë veprime që u konsumuan në prezencë të komisioneve të qendrave të votimit dhe ende sot mbeten të pahetuara si nga ana juaj ashtu edhe nga ana e organeve të drejtësisë të cilët duhet të vigjëlojnë mbi procesin zgjedhor. Mungesa në zbatim e garancive që ligji u jep zgjedhësve për të verifikuar votën dhe anuluar atë, mungesa e mekanizmave që garantojnë verifikim të thelluar dhe transparencë, gjithashtu minuan besimin e zgjedhësve, subjekteve zgjedhore dhe publikut në një proes që kërkon besim,"- thuhet në letrën e PD-së.
Ndryshe nga PD, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, ishte partia e parë që kërkoi nga KQZ-ja që të shqyrtohet mundësia që edhe në qarkun e Tiranës të zhvillohet votimi elektronik, përveç Elbasanit dhe Durrësit që propozoi institucioni.
Po ashtu edhe Partia Socialiste ka dhënë dakordësinë e saj që në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, votimi elektronik të aplikohet në qarqet Durrës dhe Elbasan, duke miratuar kështu propozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, socialistët njësoj si Shehi kërkojnë që votimi elektronik të aplikohet edhe në Qarkun e Tiranës.
Disa ditë më parë, kreu i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i dërgoi letër partive ku i bënte me dije se në zgjedhjet e 2025, votimi elektronik nuk mund të realizohet në 5 qarqe. Në letrën e bërë publike tashmë, KQZ "zotohet" që votimi elektronik të bëhet vetëm në 2 qarqe; në Durrës dhe në Elbasan. Po ashtu, për Celibashin, datat më të mira kur mund të mbahen zgjedhjet është periudha nga 20 prilli deri në 11 Maj. Duke llogaritur këtë hark kohor, KQZ ka dalë në përfundimin se nuk kanë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve që të implementojnë votimin elektronik në të gjitha (12) qarqet e vendit. /ZËRI