
TIRANË- Gati dy vite nga arrestimi dhe kalvarin, që e ndoqi në SPAK, Fredi Beleri do të ketë takimin e tij të parë me kryeministrin Edi Rama. Por takimi nuk do të jetë më në kuadër të kundërshtarit politik, por mes një kryeministri dhe një deputeti të Parlamentit të Europës. Tashmë është e konfirmuar që Beleri do të zhvillojë takimin e parë me kreun e qeverisë. Delegacioni do të vijë më Tiranë në datat 26-29 tetor.
"Jam pjesë e delegacionit të Bashkimit Europian,"-tha Beleri për "TopChannel". Në fakt, në listë për të ardhur në Shqipëri fillimisht nuk ishte Beleri por një tjetër eurodeputet grek, Manolis Kefalogianis. Në mungesë të tij, vjen Beleri, i cili ka pasur një betejë të gjatë me kryeministrin Rama. E gjitha nisi që në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2023. Asokohe Beleri kandidonte në emër të kualicionit "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë e Himarës. Që në fushatë ka pasur përplasje mes tij dhe Ramës, me këtë të fundit që nuk i kurseu as shënjestrimet publike ndaj tij. Gjatë fushatës i vendosi 'nofkat': gdhë, dru, analfabet e sqepar. Në një intervistë për mediat greke, Rama u shpreh se komentet e tij kishin ardhur si pasojë e premtimeve që bënte Beleri gjatë fushatës, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”.
“Mirë, faleminderit për pyetjen. Para së gjithash, siç e thashë, ndonjëherë, në politikë, mund të thuash gjëra për të cilat nuk je krenar dhe në këtë fushatë, po, kam thënë disa gjëra për të cilat realisht nuk ndihem mirë, por nuk ndihem mirë, sepse kjo u lidh me atë që ndodhi, që nuk ka fare lidhje, fare. Arsyeja pse u tregova i ashpër me të ishte se ai bëri disa deklarata shumë, shumë të papranueshme, të tilla si 'do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës'. Kjo është diçka që nuk mund të thuhet në Evropë, në këtë Evropë. Kjo vjen nga një e shkuar e errët dhe shumë e largët. Pastaj, sigurisht, edhe të tjera që nuk ishin realisht aspak të mira. Fliste sikur ishte atje për të çliruar Himarën, nuk e di prej kujt, po mund të flasim për këtë,"-thoshte Rama asokohe.
Më 11 maj, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, Beleri dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në fushatë u arrestuan nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me akuzën e blerjes së votave. Arrestimi i tij solli një sërë përplasjes mes Athinës zyrtare dhe Tiranës. Pala greke pretendonte se po cënoheshin të drejtat e minoritetit dhe kërkonin lirimin e Belerit për të bërë betimin pasi edhe pse në burg kishte fituar zgjedhjet në Himarë. Madje pretendonin se në të kundërt do të pengonin rrugën e Shqipërisë në BE. Tirana zyrtare nga ana tjetër, u distancua nga aksioni duke shtuar se do të linte drejtësinë që të bënte detyrën. Pas shumë kërkesash për të bërë betimin, Beleri nuk u la të dilte nga qelia. Ai u lirua pas afro 16 muaj në qeli, më 2 shtator.
Teksa vuante denimin në Shqipëri, Fredi Beleri mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe në qershor të këtij viti u zgjodh eurodeputet nën siglën e “Demokracia e Re”, të kryeministrit Mitsotakis. Ndryshe nga kërkesat për të bërë betimin si kryebashkiak i Himarës, në korrik, Beleri u lejua që të shkonte dhe të bënte betimin në Strasburg. Ndërsa më 4 gusht u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme në Himarë, ku fitoi socialisti Vangjel Tavo. Edhe pse i lirë dhe me detyrë të re, Beleri është zotuar që të ankimojë ku të mundet çështjen e tij. 2 ditë më parë bëri ankimimin për dënimin e tij në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që ka premtuar se dosja e tij do të shkojë edhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut./ZËRI