
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një konferencë për media, komentoi akuzat që ka ngritur Policia e Tiranës ndaj tij dhe kolegëve të tjerë. Në fjalën e tij, Bardhi tha se kushdo që ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në ambientet e Kuvendit, do të mbajë përgjegjësi penale. Më pas, me ironi komentoi edhe akuzat e ngritura ndaj tyre nga Policia e Tiranës.
"Nuk i përgjigjem ushtarëve të bandave, unë u përgjigjem bandave. Këta të tjerët nuk janë në fokusin e punës time. SPAK nuk është ngritur për të sulmuar deputetët e opozitës që në krye të detyrës së tyre që sulmohen nga FNSH në oborrin dhe mjediset e oborrit të Kuvendit. Do të sjellë përgjegjësi penale dhe ligjore për cilindo që ka lejuar forcat speciale të Policisë së Shtetit. Lexova që është akuzuar Elda Hoti për kanosje...degradimi i Policisë së Shtetit është i pritshëm sepse një Polici që nuk lufton dot krimin e organizuar merret me deputetet femra të opozitës,"-tha Bardhi.
Policia e Shtetit ka çuar në SPAK deputetët e opozitës që shkaktuan kaos në Kuvendin e Shqipërisë. Dy vepra penale janë ngritur për deputeten Elda Hoti. Për "kundërshtim të punonjësve të Policisë" janë ngritur akuza për deputetët: Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi, dhe Saimir Korreshi./ZËRI