Politikë

Zgjedhjet 2025/ Policët do qëndrojnë 150 metër larg QV-ve! Si do të ndërhyhet nëse fotografohet vota

Çeli bëri të ditur se forcat e policisë do të qëndrojnë në një distancë prej 150 metrash nga qendrat e votimit, sipas parashikimeve ligjore. 

F.I
Zgjedhjet 2025/ Policët do qëndrojnë 150 metër larg QV-ve!
Agron Çeli

TIRANË-Agron Çeli, drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, ka folur mbi masat që do të ndërmarrë policia për të garantuar rendin gjatë procesit zgjedhor të 11 majit. Çeli bëri të ditur se forcat e policisë do të qëndrojnë në një distancë prej 150 metrash nga qendrat e votimit, sipas parashikimeve ligjore. 

Në terren do të jenë 6500 efektivë të Policisë së Shtetit nga niveli bazë deri te strukturat më të larta të saj, të cilët janë trajnuar për rreth një muaj për mënyrën si do të procedohet me krimet zgjedhore dhe si do të garantohet rendi gjatë procesit të 11 majit. Drejtori i Rendit Publik theksoi gjithashtu se çdo veprim i paligjshëm, si fotografimi i votës apo ndërhyrje të tjera të palejuara, do të trajtohet me seriozitet dhe nuk do të lihet pa ndëshkim. 

“Asnjë qytetar në rast se evidentohet nuk do të mbetet pa ndëshkuar nga strukturat e posaçme kundër krimeve zgjedhore. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimi me strukturat e KQZ do të jetë sipas përcaktimeve. Dislokimi i forcave të Policisë së Shtetit do të bëhet 150 metër larg QV-ve. Për të bashkëpunuar dhe për të ndërhyrës sipas vendimit të fundit të KQZ janë caktuar dy koordinatorë që me evidentimin e rastit do të njoftojnë sallat e kontrollit të drejtorive vendore ose drejtuesin e shërbimit dhe menjëherë policia do të marrë masa për ndërhyrjen në ambientet e jashtme. Në ambientet e brendshme, Sekretari i Komisionit të QV-së njofton Policinë e Shtetit dhe efektivët menjëherë ndërhyjnë në qendrën përkatëse të votimit. Trajnimet janë organizuar sipas niveleve dhe kanë nisur në muajin shkurt, duke përfunduar në muajin mars për 6500 policë të strukturave të ndryshme që janë trajnuar. Po ashtu janë trajnuar 1500 policë të Strukturave të Hetimeve të Krimeve, që janë bërë trajnime më vete në bashkëpunim me Prokuroritë të Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm në të gjitha drejtoritë vendore. Punonjësit e policisë kanë marrë njohuri të përgjithshme për ruajtjen e objekteve si dhe për angazhimin gjatë fushatës zgjedhore për aktivitetet elektorale dhe detyrimet deri në fund të numërimit të votave”, - shpjegoi Çeli për A2 CNN.

Përveç angazhimit të Policisë së Shtetit, edhe SPAK ka njoftuar një sërë masash për zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025. SPAK ka ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor./ZËRI

Poll

MOS HUMB