
TIRANË-Ka nisur sot dërgimi i materialeve zgjedhore për shtetasit shqiptarë që do të votojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Zgjedhësit në vendet e Europës mund t’i kenë në shtëpi për 48 orë. Të parat janë nisur fletët e votimit për zgjedhësit jashtë vendit të qarkut Dibër dhe Berat. Në fillim vuloset fleta e votimit, vendoset në një zarf, më pas vendoset në zarfin e KQZ-së, bashkë me një udhëzues se si do të votojnë, si dhe një listë me kontaktet e korrierëve që mund të thërrasin pasi të kenë kryer procesin e votimit. I vetmi problem i hasur deri më tani nga KQZ, është ai i 16 votuesve që jetojnë në Rusi dhe 1 në Iran. Kompania postare nuk do lejohet të shkojë në këto dy shtete, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Europa.
Por po ashtu, ndaj këtij procesi kanë filluar të shfaqen ankesat e para. Dy përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KQZ, Franci Nuri dhe Marash Logu, iu drejtuan zyrtarisht Ilirjan Celibashit me pretendimin se procesi po shfaq anomali dhe po krijon dyshimin për votim të dyfishtë.
"Nga ana e vëzhguesve tanë jemi informuar se gjatë procesit të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit nga jashtë ka pasur një problematikë që lidhet me printimin dy herë të adresës, që në terma praktikë nënkupton që një zgjedhësi mund t’i shkojnë dy zarfe, dy fletë votimi, duke rrezikuar kështu që të kemi më shumë vota se numër zgjedhësish. Sipas vëzhguesve tanë janë identifikuar 14 raste, por mund të ketë edhe të tjerë,"-pretenduan përfaqësuesit e PD-së.
Menjëherë pas ankesës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka sqaruar Partinë Demokratike lidhur me pretendimet e depozituara pranë KQZ-së.
Procesi:
Fleta e votimit e qarkut nga ku vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar A, futet pastaj në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi. Më pas kompania postare e merr zarfin B, e fut në zarfin e verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë, si dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës.
Kompania postare bën mbylljen e zarfit me kodet e adresës, dhe pastaj i merr në dorëzim ato për t’i shpërndarë në 85 shtete të botës. Aktualisht janë përgatitur rreth 10 mijë sete, dhe dërgesa e parë pritet të bëhet ditën e sotme, duke shënuar për herë të parë për Shqipërinë, “votat e hershme”, pasi praktikisht nga e marta e tutje, dikush mund të votojë pa pritur 11 majin.
Janë disa qarqe si Kukësi, Dibra, Vlora e të tjera, për të cilat ka përfunduar përgatitja e materialeve dhe ato dërgohen menjëherë me postë. Me përjashtim të pak fletëve të votimit në Fier, ka përfunduar vulosja e 245 mijë fletëve dhe futja e tyre në zarfin e parë A.
Ata që janë refuzuar, apo nuk janë regjistruar në KQZ, vijojnë ta kenë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri dhe mund të vijnë fizikisht të ushtrojnë të drejtën e votës. Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, procesi i votimit nis nesër, pasi diaspora që ndodhet në Greqi e Itali do të marrë që sot fletën e votimit nëpërmjet postës. Dërgimi parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1-3 ditë. Emigrantëve shqiptarë iu sugjerohet që brenda 3 ditëve nga marrja e zarfit ta postojë në KQZ, pasi zarfet që vijnë pas orës 19:00 më datë 11 maj, nuk do të numërohen./ZËRI