
TIRANË- Partia "Lëvizja BASHKË" ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ditën e sotme në qytetin e Fierit. Në një postim në rrjete sociale, teksa kanë shpërndarë pamje nga salla plot mbështetës nga çelja e fushatës në Fier, Arlind Qori premton se "e reja" është ndryshimi dhe ajo që i duhet popullit shqiptar.
Postimi i plotë:
E REJA PO LIND! Fieri, qyteti i industrisë, i kulturës e dijes, sot mikpriti hapjen e fushatës së Lëvizjes BASHKË. E reja po lind në çdo padrejtësi që pëson populli shqiptar. E reja po lind te bujku që keqpaguhet dhe e çon dëm produktin bujqësor. E reja po lind te çdo punëtor i industrisë që ka ngelur pa punë. E reja po lind te çdo profesionist i lirë që nuk çan dot në treg. E reja po lind te çdo sipërmarrës i ndershëm që përballet me oligarkinë monopoliste. E reja po lind te çdo i ri dhe e re që sytë i kanë përtej kufirit. E reja po lind te çdo pensionist që vuan në varfëri. E reja sot lindi në Fier! Së shpejti, anekënd Shqipërisë!
Ndërsa prezantoi programin dhe kandidatët, kreu i "LB" lexoi edhe një poezi të Ndre Mjedës, "Ëndrro, Dashuno"./ZËRI