
TIRANË-Kryeministri Edi Rama edhe një herë ka përsëritur se Reformën në Drejtësi e ka sjellë Partia Socialiste dhe ai vetë. Rama u shpreh se institucioni i drejtësisë duhet përmirësuar që të mos jetë i njëanshëm, thjesht të pavarur por jo profesional në shkelje të standardeve demokratike, ku intimidohen dëshmitarë dhe paraburgimi bëhet normë për të kapur e kyçur brenda pa gjyq këdo qoftë.
Edi Rama: Nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që u tërhoqën do ta kishin marrë me vete. E vetmja garanci e SPAK është PS dhe unë në krye të saj. Reformën në drejtësi e kam bërë unë me PS. Po pastron politikanët e korruptuar. Në 2025 sfida jonë është të ndërtojmë sistem drejtësie të barabartë. Ka plot gjëra që nuk shkojnë edhe me SPAK, është strukturë e re. Por ka krijuar pavarësinë, askush nuk thotë dot se SPAK është i kapur. Ne kemi hyre në nje fazë tjetër si SPAK dhe drejtësia. Duhet të kemi pozicion kritik. Nuk duam e nuk do të tolerojmë një sistem të njëanshëm, thjesht të pavarur por jo profesional në shkelje të standardeve demokratike që do të thotë të gjithë kritereve të lirive e të drejtave që bëjnë diferencën mes drejtësisë në diktaturë e autokraci e asaj në demokraci. Prandaj dhe ne kemi hyrë në fazë tjetër. Na duhet të kemi një pozicion kritik për të gjitha gjërat që nuk shkojnë. Nuk mund të pranojmë në emër të pavarësisë të intimidohen njerëz që merren në pyetje, të kapërcehen fazat e hetimit e gjykimit e as të pranojmë që paraburgimi të bëhet normë për të kapur e kyçur brenda pa gjyq këdo qoftë, kur kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar për të paraburgosur dikë janë të qarta e nuk kanë të bëjnë me një pjesë që janë konsideruar të përmbushura. Por këto janë cështje të një debate demokratik.