Politikë

Zgjedhjet 2025/ KQZ në alarm për votën e emigrantëve: Nuk del koha, ta sjellin zarfin me postë "ekspress"

KQZ njofton se fletët e votimit do të duhet që të dërgohen për në diasporë 45 ditë para datës së zgjedhjeve, e cila ende nuk është caktuar.

k.m.
Zgjedhjet 2025/ KQZ në alarm për votën e emigrantëve: Nuk
Foto ilustruese

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë afatin për sjelljen e fletëve të votimit për emigrantët. Në letrën dërguar partive politike në vend, KQZ njofton se fletët e votimit do të duhet që të dërgohen për në diasporë 45 ditë para datës së zgjedhjeve, e cila ende nuk është caktuar. Kështu që Celibashi informon palët se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës, ndërkohë që afatet që KQZ ka në dorë janë 10-12 ditë. Ndërkohë, KQZ ka bërë edhe testime me shqiptarë jashtë vendit, madje duke tentuar edhe vende të afërta si Italia apo Zvicra, por sërish zarfi me votën nuk ka ardhur brenda 10 ditëve.

Problemi nis me faktin se sipas Kodit Zgjedhor, asnjë zarf me votë që vjen në Shqipëri pas orës 19:00 ditën e zgjedhjeve, nuk do të numërohet. Sipas KQZ, zgjidhje është mundësia e përjashtimit të dërgimit të fletës nga votuesi drejt KQZ me postë të thjeshtë, por vetëm opsioni "expres".

"Nëse lihet në diskrecionin e zgjedhësit për të zgjedhur postën e kthimit, duhet përjashtuar opsioni i postës së thjeshtë, pasi nuk mund të gjurmohen dërgesat dhe ka shumë vonesa. Do të ishte me interes, për të maksimizuar pjesëmarrjen dhe kthimin e fletëve të votimit, që sikurse dërgimi, po ashtu edhe kthimi të bëhej i qendërzuar me të njëjtën kompani të shërbimit postar nga ana e KQZ,"-shkruan KQZ në letrën e saj.

NJOFTIMI I PLOTË I KQZ:

Lënda: Informacion mbi konkluzionet e takimit konsultues me operatorët e shërbimit postar ndërkufitar.

Drejtuar: Partia Socialiste e Shqipërisë Rruga "Çamëria", Tiranë 1000, Partia Demokratike e Shqipërisë Bulevardi "Zhan D'Ark", 11, Tiranë. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Pas Ish-Ekspozitës "Shqipëria Sot", Tiranë. Partia e Lirisë Rruga "Sami Frashëri", Godina 20/10, Tiranë. Partia Socialdemokrate e Shqipërisë Rruga "Skënderbej (Blloku i Ambasadave)", Tiranë. Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë Rruga "Pjetër Budi" 6, Tiranë. Partia Republikane e Shqipërisë Rruga "Abdi Toptani" 2-10, Tiranë.

Të nderuar, Në vijim të punës përgatitore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën në kuadër të mundësimit të Votimit nga Jashtë Vendit (VJV), në datën 24 Shtator 2024 zhvilloi një takim konsultues në nivel teknik me operatorët e shërbimit postar ndërkufitar. Nga përmbajtja e këtij takimi me qëllim. realizimin e procesit të VJV vlerësoj se duhet të konsiderohet sa vijon: 1. Të gjithë ofruesit e shërbimit postar ndërkufitar bënë me dije se koha që ju duhet për dërgimin e fletëve të votimit nga Shqipëria, në adresat përkatëse të votuesve jashtë vendit është 45 ditë. Koha më e shkurtër, por që do ta vinte gjithsesi në vështirësi pasiguri procesin është 30 ditë. Sikurse ju e dini afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve të votimit datojnë rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët përfshi edhe atë publik vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30-45 ditë. Praktikat e vendeve të tjera ku disa prej këtyre operatorëve janë angazhuar në votimin nga jashtë konfirmojnë afatin e dërgimit dhe të kthimit të fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhë kohore jo më të pakët se 45 ditë. 2. Duhet përjashtuar kategorikisht alternativa e dërgimit të fletës nga votuesi drejt KQZ me postë të thjeshtë pasi kjo e fundit nuk ka gjurmim të asnjë lloji. Dërgesa rekomande disponon një barcode (standardi ndërkombëtar i stampimit elektronik të adresës dhe barcode unik identifikues të dërgesës) me anë të të cilit mund të gjurmohet përgjatë rrugëtimit. Edhe dërgesa 'rekomande" pavarësisht se lejon gjurmim, nuk ka prioritet si dërgesë. Kjo në kuptim të afateve. Me prioritet konsiderohen vetëm dërgesat me postë expres. 3. Nëse lihet në diskrecionin e zgjedhësit për të zgjedhur postën e kthimit, duhet përjashtuar opsioni i postës së thjeshtë, pasi nuk mund të gjurmohen dërgesat dhe ka shumë vonesa. Do të ishte me interes, për të maksimizuar pjesëmarrjen dhe kthimin e fletëve të votimit, që sikurse dërgimi, po ashtu edhe kthimi të bëhej i qendërzuar me të njëjtën kompani të shërbimit postar nga ana e KQZ Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Vota e diasporës do implementohet për herë të parë këto zgjedhjeve. "Vullneti" i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB