TIRANË-Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetit Klevis Balliu. Sipas kërkesës së mazhorancës, ndaj dy deputetëve kërkohet masa e përjashtimit për 60 ditë nga aktivitetet e Parlamentit.
Kërkesa vjen pas përplasjeve dhe debateve të zhvilluara në Kuvend gjatë seancës për miratimin e Reformës Territoriale, e cila u shoqërua me tensione mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Në momentin kur do të votohej Reforma e propozuar nga PS, dy deputetët e opozitës, kanë hedhur vezë dhe ujë ndaj kryeministrit Edi Rama.
Lidhur me kërkesën e mazhorancës, një reagim ka ardhur edhe nga vetë Bardhi, i cili ironizon jo '60 ditët por 4 vjet bëjeni'. Kreu i grupit parlamentar të PD, ka theksuar se mazhoranca ka shkelur rregulloret dhe Kushtetutën.
Gazment Bardhi: Jo 60 ditë, por bëjini 4 vjet! Shkelni rregulloret dhe Kushtetutën! Bëni gjithçka që keni në dorë. Prapëseprapë, frikën e Edi Ramës nuk keni për ta zhdukur dot. Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka nevojë për votën e një personi të akuzuar për korrupsion, si Belinda Balluku, për të shkatërruar jetën e qytetarëve dhe për të fshirë nga harta 15 bashki. Është i vetmi kryeministër në botë që shkon në Kuvend për të votuar, i rrethuar nga 40 efektivë të Gardës së Republikës. Sepse ai e di më mirë se kushdo se llogaritë nuk i ka me deputetët e opozitës, por me qytetarët, të cilët i ka braktisur dhe i ka dhunuar prej 13 vitesh!
Me 85 vota pro, Kuvendi votoi pas një seance maratonë hartën e re territoriale me 46 bashki. Reforma parashikon një strukturë të re me shkrirjen e 15 bashkive, nga 61 në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative./ZËRI