Politikë

Shkarkimi i Anuela Ristanit, PD kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Tiranës: Kush e drejton bashkinë aktualisht?

Përmes një reagimi zyrtar, Zhulali kërkon që të bëhet publike shkresa e shkarkimit të Ristanit.

zh.ll
Shkarkimi i Anuela Ristanit, PD kërkon mbledhjen urgjente të
foto ilustrim: bashkia tirane-erion veliaj dhe anuela ristani

TIRANË- Ilda Zhulali, këshilltarja e PD-së, i ka kërkuar kryetares së Këshillit Bashkiak, Megi Fino, sqarime zyrtare lidhur me drejtimin e Bashkisë Tiranë pas shkarkimit të Anuela Ristanit nga detyra.

Përmes një reagimi zyrtar, Zhulali kërkon që të bëhet publike shkresa e shkarkimit të Ristanit. Gjithashtu, kërkohet të sqarohet se kush e ushtron aktualisht funksionin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, kush e ka autoritetin për të firmosur dhe nëse firma e Erion Veliajt njihet ende si vullnet legjitim vendimmarrës.

Krahas këtyre kërkesave, këshilltarja demokrate ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak me rend dite drejtimi i institucionit dhe kriza e paralajmëruar e të transporit publik urban.

Reagimi i plotë:

E nderuar Zj. Kryetare,

I. Përmes medias jam njohur me lajmin se Erion Veliaj, aktualisht në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë brenda pak muajsh znj. Anuela Ristani nga funksioni i kryetares së komanduar/ushtruese të detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky lajm ka krijuar pasiguri të plotë ligjore dhe publike mbi drejtimin aktual të Bashkisë Tiranë, dhe kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës.

Në këtë kuadër, kërkoj të informohem zyrtarisht dhe në mënyrë shterruese mbi sa vijon:

1. Njohjen me shkresën zyrtare përmes së cilës është kryer ky shkarkim i dytë, dhe kohën kur është firmosur dhe protokolluar ajo?

2. Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?

3. Kush ka aktualisht autoritetin institucional për të negociuar, vendosur dhe firmosur në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime me efekt mbi buxhetin e bashkisë?

4. A ekziston sot një zinxhir i qartë dhe i pandërprerë komandimi institucional brenda Bashkisë Tiranë, dhe nëse po, kërkoj të na vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës?

5. Cilat masa janë marrë apo parashikohet të merren për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal institucional të bashkisë, në kushtet e kësaj paqëndrueshmërie drejtuese?

6.A njihet zyrtarisht prej Bashkisë Tiranë firma e Erion Veliaj si vullnet legjitim vendimmarrës?

Kujtoj se një situatë e ngjashme  u krijua disa muaj më herët, kur u shkarkua znj.Ristani dhe në vend të saj u emërua znj.Goxhaj, për të cilën nuk pati asnjëherë një përgjigje zyrtare!!

II. Paralelisht, përmes medias jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare te Transportit Qytetas dhe Shoqatës se Transportit Urban dhe Interurban, datë 11 gusht 2026, mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik.

Duke patur parasysh rëndësinë dhe peshën e këtij shërbimi për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe personave të tjerë (vendas apo të huaj) që përdorin transportin publik, kërkoj sqarime zyrtare mbi sa vijon:

7. Cilat janë arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve të transportit publik urban?

8. Kush është aktualisht, në emër të Bashkisë Tiranë, në kontakt dhe/ose negociata me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, dhe me institucionet qendrore përgjegjëse?

9. Cilat masa konkrete po ndërmerren nga Bashkia Tiranë për të parandaluar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimësinë normale të shërbimit të transportit publik?

10. A është realizuar ndonjë komunikim zyrtar deri më sot mbi këtë çështje, dhe nëse po, kërkoj kopje të korrespondencës përkatëse.

Në bazë të sa më sipër, kërkoj

1. Thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Tiranë, me rend të ditës situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban.

2. Përgjigje zyrtare me shkrim ndaj çdo pike të ngritur, brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak.

3. Vënien në dispozicion të çdo dokumentacioni zyrtar mbështetës, përfshirë akte administrative, korrespondencë institucionale dhe informacion financiar përkatës.

Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional.

Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke ju falënderuar,

Ilda Zhulali

Këshilltare

Nënkryetare e Grupit

Partia Demokratike

Shkarkimi i Anuela Ristanit nga Erion Veliaj u raportua më 28 gusht. Në vendim argumentohej se Ristani kishte refuzuar zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut dhe gjatë detyrës së saj është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të Veliajt, pasi sipas tij ka munguar koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë. Nga 28 gushti në Bashkinë e Tiranës nuk ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve, teksa kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025./ZËRI

Poll

MOS HUMB