TIRANË- Partia Socialiste do të mbledhë të enjten e 3 shtatorit Grupin Parlamentar dhe qeverinë. Mbledhja është planifikuar të mbahet të enjten, në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave.
Mësohet se në fokus të takimit do të jenë çështje që lidhen me “Praninë Besnike”, dokumenti i ri që kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e 30 korrikut, duke e quajtur një aneks të dokumentit “Besa”. Kjo e fundit, është baza e një qasjeje të re qeverisëse gjatë pjesës së mbetur të mandatit.
Mbledhja e së enjtes vjen pas një sërë konsultimesh të zhviluara në nivele të ndryshme të strukturës së Partisë Socialiste. Po ashtu, pritet që Rama t'u përcjellë deputetëve prioritetet dhe objektivat e fazës së ardhshme të qeverisjes.
Vetëm disa ditë më parë, Rama prezantoi në Pogradec “Pasqyrë Albania”, një platformë të re për komunikimin me qytetarët dhe zgjidhjen e problematikave të tyre. Platforma do të funksionojë përmes dy sektorëve: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë dhe adresojë ankesat e pazgjidhura te institucionet përkatëse, dhe “Radar”, që do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në kohë reale ecurinë e ankesës. Synimi është që problemet që qytetarët kanë të zgjidhen brenda dy javësh./ZËRI