
SHBA- Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndërmarrë një politikë të re për kufizimin e vizave. E gjitha me një qëllim të vetëm; për të penguar ose shkatërruar fluksin e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme në SHBA. Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka bërë me dije detaje duke u zotuar do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme që hyjnë në SHBA. Deklarata e tij është ndarë edhe nga Ambasada Amerikane në Shqipëri. Mbi bazën e Urdhrit Ekzekutiv 14059 dhe ligjit të imigracionit, personat e përfshirë në tregtinë e paligjshme të drogës, si dhe njerëzit e lidhur me ta, do të ndalohen të hyjnë në SHBA. Ky veprim synon jo vetëm ndalimin e hyrjes së tyre, por edhe pengimin e aktivitetit të mëtejshëm kriminal.
"Departamenti Amerikan i Shtetit do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme që hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe dëmtojnë qytetarët amerikanë,"-thuhet ndër të tjera në deklaratën e Rubios.
Deklarata e Sekretarit të Shtetit amerikan, Marco Rubio:
Kriza e fentanilit në Shtetet e Bashkuara është e paprecedent, me mbidozat që mbeten shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët nga mosha 18 deri në 44 vjeç. Më shumë se 40 përqind e amerikanëve raportohen se njohin dikë që ka vdekur nga një mbidozë opioidesh, dhe në vitin 2024 Shtetet e Bashkuara patën mesatarisht mbi 220 vdekje nga mbidoza çdo ditë. Sot, po njoftoj një politikë të re kufizimi të vizave sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë, e cila do të zbatohet për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe biznesorë të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059 për vendosjen e sanksioneve ndaj personave të huaj të përfshirë në tregtinë globale të paligjshme të drogës (U.E. 14059).
Veprimi i sotëm zgjeron mjetet ekzistuese, duke përfshirë sanksionet sipas U.E. 14059 dhe pamundësitë për viza sipas seksionit 212(a)(2)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë për trafikantët e substancave të kontrolluara. Vendosja e kufizimeve të vizave për trafikantët e drogës, anëtarët e familjes së tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe biznesorë, jo vetëm që do t’i pengojë ata të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por do të shërbejë edhe si një masë parandaluese kundër vazhdimit të aktiviteteve të paligjshme.
Departamenti Amerikan i Shtetit do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme që hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe dëmtojnë qytetarët amerikanë./ZËRI