
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja u thirr sot në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij. Ai shkoi në SPAK rreth orës 10:00 dhe doli nga ambientetet pothuajse pas 40 minutash.
Çyrbja refuzoi t’iu përgjigjej gazetarëve kur u pyet se u thirr aty, por tha se ata mund t’i drejtohen SPAK për informacione.
“Mund t’i drejtoheni SPAK për informacione”, dëgjohet të thojë ai.
Çyrbja u paraqit në SPAK më datë 8 tetor, ku u mor në pyetje për 5 orë dhe më pas dorëzoi mandatin e tij. Por, dje Çyrbja tha se ai dorëzoi mandatin e tij si deputet, për arsye shëndetësore dhe se nuk ka probleme me drejtësinë.
Mësohet se Çyrbja u paraqit në SPAK pasi u kallëzua nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka se gjatë kohës kur ishte drejtor hipoteke shpërdroi detyrën e tij. Sipas denoncimit të Palokës, deputeti socialist firmosi brenda ditës dy certifikata për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar "mbivendosje prone".
Po ashtu, Paloka pretendoi se javët e fundit të fushatës Çyrbja ka shpërndarë në Kadastrën e Durrësit çertifikata dhe legalizime, sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Tani vendin e Çyrbjas në Kuvend pritet ta marrë Erjon Meka. Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet. Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017. Në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës mes 6583 vota. /ZËRI