
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja ka dorëzuar sot mandatin e tij, dy ditë pas vizitës në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Çyrbja u thirr më 8 tetor në SPAK, ku qëndroi më shumë se 5 orë aty. Pasi ai ka dalë nga ambientet e SPAK, ish-deputeti socialist ka zgjedhur që të mos tregojë asnjë detaj lidhur me atë që ka deklaruar në Prokurori. Pasi ka dalë, ai ka thënë për gazetarët: Nuk jam marrë i pandehur. Nuk kam tjetër koment!
Çyrbja tha sot se ai nuk ka probleme ligjore, por shëndetësore, prandaj dorëzoi mandatin e tij.
“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, tha ai për "Report TV".
Por mësohet se Çyrbja u paraqit në SPAK pasi u kallëzua nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka se gjatë kohës kur ishte drejtor hipoteke shpërdroi detyrën e tij. Sipas denoncimit të Palokës, deputeti socialist firmosi brenda ditës dy certifikata për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar "mbivendosje prone".
Po ashtu, Paloka pretendoi se javët e fundit të fushatës Çyrbja ka shpërndarë në Kadastrën e Durrësit çertifikata dhe legalizime, sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Tani vendin e Çyrbjas në Kuvend pritet ta marrë Erjon Meka. Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet. Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017. Në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës mes 6583 vota./ZËRI