TIRANË- Kuvendi ka kaluar në 5 minuta pushim pas tensioneve të krijuara në sallë, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke penguar vijimin normal të punimeve.
Ky episod u regjistrua pasi opozita kundërshtoi zhvillimin e raportimit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Deputetët e PD-së dolën përpara foltores, duke mos lejuar vijimin e procedurave parlamentare.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kërkoi disa herë lirimin e foltores, por pas disa tentativave vendosi të ndërpresë përkohësisht seancën.
Por, edhe pas rikthimit të këtij pushimi, seanca u ndërpre sërish për të dytën herë brenda pak minutash. Deputetët e opozitës u vondosën përpara foltores, me qëllim pengimin e raportimit të Avokatit të Popullit.
Pjesë nga debati Peleshi-deputetët e opozitës:
Niko Peleshi: Nuk e kemi arenë gladiatorësh parlamentin. Lironi foltoren! Takojeni pas raportimit. Mos u impononi mendimin tuaj kolegëve të tjerë që janë ulur dhe po presin të dëgjonë raportin. Mos u bëni pengesë e zbatimit të Kushtetutës. Ju lutem uluni!
Deputetët e opozitës: Ne nuk e njohim!
Niko Peleshi: Ka të tjerë që e njohin! Në këtë sallë jeni të detyruar të respektoni rregulloren dhe detyrimin e institucioneve të raportojnë. Uluni, nuk jeni këtu për forcën fizike! Nuk jemi këtu për përleshje! Jemi për të përplasur mendimet, jo kokat! Pa dëgjuar raportin, nuk mund të diskutojmë në ajër! Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës!
Pasi kundërshtuan thirrjet e vazhdueshme për të liruar foltoren, kryeparlamentari Peleshi e ndërpreu me 5 minuta të tjera seancën. /ZËRI