TIRANË- “Për një çast u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin”- kështu e nisi kryeministri Edi Rama videon e tij, teksa foli për raportin Environmental Performance Index 2026, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore. Rama tha se kjo renditje tregon progresin që vendi ka bërë në ruajtjen e mjedisit, edhe pse kohëve të fundit u krijua një perceptim ndryshe.
"Për javë të tëra u krijua përshtypja se Shqipëria ishte kthyer në armiken e natyrës së vet. U thanë shumë gjëra, u shkruan edhe më shumë, u ndanë miliona imazhe, akuza, gjykime dhe bindje të cekëta. Dhe për një çast u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin, por realiteti flet. Environmental Performance Index 2026, indeksi më prestigjioz global për performancën mjedisore, sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-ën nga 177 vende në botë, me progresin më të madh në rajon gjatë 10 viteve të fundit. Ndërsa për zbutjen e ndryshimeve klimatike, Shqipëria renditet e 21 në botë.
Dhe këto nuk janë vlerësimet që ne i kemi bërë vetes, largqoftë, por janë përfundimet e institucioneve ndërkombëtare dhe akademike, të cilat prej një çerek shekulli masin me konsensus global, me të njëjtën metodologji performancën mjedisore të vendeve të botës. Por sinqerisht ajo që mua personalisht më gëzon më shumë sesa renditja është fakti se kjo renditje tregon rrugën që kemi bërë. Nuk kanë kaluar shumë vite që Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, i gjuetisë së egër të shfarosjes kriminale të shumë specieve, i lumenjve të kthyer në vend grumbullime mbetjesh dhe i një shteti që shpesh nuk kishte as mundësi, as instrumente, as kulturën për mbrojtjen natyrës por mbi të gjitha vëmendje" tha ai.
Rama u ndal edhe te protestat që po zhvillohen prej 50 ditësh poshtë zyrës së tij nga qytetarët. Kryeministri tha se protestat kanë treguar se edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar perceptim lidhur me çështjet mjedisore, të cilën e quajti “fitore qytetërimi”. Ai shtoi se reflektimi i paralajmëruar pas protestave të javëve të fundit është i domosdoshëm dhe se do të bëhet publik së shpejti.
"Sot jemi një vend krejt tjetër edhe në këtë aspekt. Madje, kemi arritur deri aty sa të zhvillojmë protesta të mëdha për mjedisin dhe kjo pavarësisht çdo ekzagjerimi, manipulimi apo instrumentalizimi politik që iu bashkëngjit atyre protestave është në vetvete një arritje e madhe e shoqërisë. Sepse prania e aq shumë njerëzve që shqetësohen për flamengot, për lagunat, për pyjet apo për biodiversitetin, tregon se bashkë me Shqipërinë që ka ndryshuar, edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Kjo është fitore qytetërimi. Një shoqëri që debaton për natyrën është shumë e shumë më përpara se sa një shoqëri që e sheh në heshtje shkatërrimin e saj, siç ishte shoqëria e deri para 10 vjetëve. Prandaj unë nuk kam parë kurrë armiq tek ata që duan sinqerisht natyrën edhe kur nuk ndaj të njëjtin mendim me ta. Përkundrazi, ata më kujtojnë dhe duhet të na kujtojnë se zhvillimi nuk mund të jetë kurrë një justifikim për të harruar atë që na është besuar nga e shkuara dhe që duhet t'ua dorëzojmë më të mirë brezave që i përkasin të ardhmes"- tha Rama.
Rama shtoi se puna e qeverisë në raport me ruajtjen e mjedisit ka ende vend për përmirësim, duke theksuar se raporti nuk duhet parë si vetëkënaqësi, por si një përgjegjësi për të ruajtur më mirë ekuilibrat mes zhvillimit dhe natyrës. Ndërsa në renditjen globale në këtë raport, Shqipëria pozicionehet në vendin e 46-të nga 177 vende të botës, ndërsa vendin e parë e zë Estonia.
/ZËRI