Politikë

“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë së Lirisë, Gjokutaj: Kemi kallëzuar 3 efektivët që arrestuan Metën

Gjatë protestës avokati i Metës, Genc Gjokutaj tha se ka paditur tre efektivët e Policisë që arrestuan ish-presidentin më 21 tetor.

I.F
“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë
Tedi Blushi

TIRANË- Partia e Lirisë protesoi sot para ambientëve të Prokurorisë së Posaçme një lëvizje e paralajmëruar nga Ilir Meta që ndodhet në qeli. Para SPAK u grumbulluan anëtarë të Partisë së Lirisë dhe mbështetës të saj. Në krye të protestës qëndroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe Erisa Xhixho. Gjatë protestës avokati i Metës, Genc Gjokutaj tha se ka paditur tre efektivët e Policisë që arrestuan ish-presidentin më 21 tetor.

Partia e Lirisë i akuzon ata për “shpërdorim detyre” dhe “veprime arbitrare”. Gjatë protestës nuk ishte asnjë deputet i Partisë Demokratike, ndërsa më herët, kryedemokrati Sali Berisha tha se lufta e Opozitës nuk duhet të jetë kundër SPAK, por kundër kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa Blushi gjatë protestës tha se ndodhen para SPAK për të protestuar për një drejtësi të pavarur. Blushi tha se SPAK është kthyer në një oksigjen për Rilindjën dhe po mbyll syt para korrupsioneve të qeverisë.

"Sot ne jemi këtu, në këtë protestë të ligjshme qytetare përpara SPAK, jo për të kërkuar drejtësi, se në strofullën më të sigurt të Edi Ramës ne nuk kërkojmë drejtësi, por për të denoncuar me forcën më të madhe tradhtinë e lartë, që ky institucion me vullnet dhe këmbëngulje, duke ecur në rrugën e Esad Toptanit, Edi Ramës, George Sorosit dhe McGonigalit, ka bërë kundër interesit qytetar, kundër interesit kombëtar dhe kundër Shqipërisë në përgjithësi.

Jemi sot këtu, për një mision historik, patriotik dhe kombëtar, për të nisur së bashku procesin e pandalshëm dhe shumë të domosdoshëm të desorosifikimit të drejtësisë.  Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetuese dhe antiligjore e ka vrarë besimin e qytetarëve të thjeshtë te drejtësia dhe funksionimi i shtetit ligjor duke u bërë njësh me mafian në pushtet, si parti aleate paramilitare e “Rilindjes”, që po i shërben verbërisht Narkoregjimit për t’i garantuar dhunshëm edhe një mandati tjetër 4-vjeçar në kurriz të shqiptarëve.

Jemi sot këtu sepse:

SPAK-u është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve për barazi përpara ligjit, që prodhon vetëm padrejtësi, antiligj, arbitraritet dhe përndjekje politike dhe policeske të opozitës. SPAK-u është sot bunkeri i fundit i NarkoQeverisë që mbron dhe i jep imunitet politik korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës dhe “Rilindjes” për të mos u dënuar dhe ndëshkuar. SPAK-u është sot tubi i oksigjenit për Narkoqeverisjen më të korruptuar të Europës dhe të Qeverisë së dytë më të korruptuar të botës. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral duke qenë njëherazi shërbëtori më i zellshëm i Edi Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve, duke mbyllur dosjet e “Dibrës”, “Shijakut” dhe të “Elbasanit”.

Hetimet e vonuara dhe të gjymtuara që u bën SPAK krimeve zgjedhore afërmendsh që do të ndodhin vetëm pasi Rama ble votat dhe vjedh zgjedhjet. Edhe “Metamorfoza” e Shkodrës u hap pjesërisht vetëm pasi u vodh dhe u ble Bashkia e Shkodrës dhe jo më përpara. Edhe “Metamorfoza” e Elbasanit ka dy vjet në SPAK dhe ka ardhur e përkthyer në shqip nga Brukseli, por është e manipuluar masivisht për të mbuluar krimet zgjedhore në Elbasan dhe përfshirjen e Ramës, Ballës dhe prokurorëve. Dosja e Elbasanit jo rastësisht u shpërnda në media ditën që doli lajmi se Gjykata e Strasburgut e kishte vendosur çështjen Berisha “leading case”, për të spostuar vëmendjen, aq sa komunikata zyrtare u vonua 24 orë se nuk ishin gati.

Por ne jemi sot këtu edhe sepse SPAK-u është mbrojtësi i vetëm i krimit ekonomik shtetëror të Qeverisë,  përmasat e të cilit janë të tilla që kanë tronditur thellë ekonominë e vendit dhe i ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë të largohen prej tij. SPAK-u është mbrojtësi më i madh i pastrimit të parave të pista, që po shkatërrojnë vendin sepse nuk lëviz gishtin dhe mbyll sytë përpara kullave të drogës dhe investimeve me para të pista që janë vetëm pak metra larg nga dritaret e tij. SPAK-u është mbrojtësi i korrupsionit shtetëror politiko-ekonomik të lidhur me segmente mafioze ndërkombëtare si afera McGonigal ku Edi Rama është përfshirë deri në grykë. SPAK-u është mbrojtësi i tradhtisë kombëtare të shitjes së kufijve shtetërore të Shqipërisë me mosveprimet e tij përballë denoncimeve shokuese për “Marrëveshjen e Detit”.

SPAK-u është sot bunkeri i fundit për Edi Ramën dhe Erion Veliaj, aferat e të cilëve, si në rastin e grabitjes pa maska me inceneratorin fantazmë të Tiranë, janë të provuara me mijëra dokumente, fakte e prova, por që afërmendsh Altin Dumani as guxon t’u përmendë emrin për “krimet intelektuale” që vazhdojnë dhe grabisin qindra milion euro, që rrjedhin çdo ditë në xhepat e tyre dhe në kurriz të qytetarëve dhe të pensionistëve. Kur ndërkohë shkul një fshat të tërë në Tiranë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje.

SPAK-u është thjesht një mashtrues, manipulues dhe montues procesesh të rreme me zero fakte penale, zero dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës për llogari të narkomafias kombëtare dhe ndërkombëtare. Altin Dumani është armik i shtetit të së drejtës, i lirisë, të së drejtave dhe dinjitetit njerëzor të çdo shqiptari dhe mercenar i “Rilindjes”, misioni i të cilit është vetëm persekutimi politik ndaj opozitës përmes proceseve hetimore të montuara dhe që i përkasin së shkuarës.

Rrëmbimi i paligjshëm dhe kriminal i bërë nga SPAK dhe Narkopolicia, i Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta provoi në dritë të diellit se vetëm dhuna, arbitrariteti, antiligji, shkelja e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, janë shtyllat ku mbështetet sot aktiviteti i SPAK që qartësisht është kthyer në një revole në duart e Edi Ramës për të vrarë opozitarizmin, pluralizimin politik dhe demokracinë në vend. Izolimi me masë ekstreme ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Kryetarit të forcës së dytë opozitare në vend dhe forcës së tretë politike prej 20 vitesh në Shqipëri, vetëm për shkak të dyshimeve të pretenduara nga një treshe prokurorësh kamikazë, mbështetur mbi kërkesën e organizatës tashmë të provuar kriminale SPAK, provoi se çizmet e dhunës së këtij institucioni i janë vënë në fyt dhe i kanë cënuar pavarësinë gjykatave, të cilat afërmendsh vendosën nën diktatin e SPAK-ut, për ta lënë me të njëjtë masë izolimi ekstrem Presidentin Meta.

Nga Kongresi i “Rilindjes” SPAK mori urdhrin dhe detyrën partiake të izolojë Presidentin e Partisë së Lirisë pa asnjë provë dhe fakt penal, asnjë akt të paligjshëm dhe dëmtues për interesin publik, por vetëm për t’i shërbyer verbërisht padronit të tij të vërtetë, Edi Ramës, në dëm të zgjedhjeve të lira e konkurruese dhe në prag të caktimit të datës së zgjedhjeve. Ilir Meta në gjendje lirie jo vetëm që do të kishte mundësinë të çmontonte shpifjet ordinere dhe shpikjet e fëlliqura të spakistëve, por do të ushtronte plotësisht të gjitha aftësitë e tij politikëbërëse dhe organizative për fuqizimin e veprimit politik të Partisë së Lirisë dhe të gjithë opozitës. Altin Dumani mori përsipër të rihapë për herë të tretë çështjen CEZ-DIA, që ishte gjykuar disa herë.

Po pse u regjistrua kjo çështje në 2018 nga ky kallëzues?

Sepse kishte nisur përplasja e madhe midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit për Çështjen e Detit me Greqinë, për të cilën Rama ushtronte presion mbi anëtarët e Komisionit Negociator, që të shkelnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të favorizonin pa të drejtë palën greke. Po pse u mor përsipër nga Altin Dumani në dhjetor 2019 si çështje? Sepse ishte kulmi i përplasjeve të Presidentit Meta me Ramën dhe McGonigalët për Gjykatën Kushtetuese, për të mos lejuar kapjen me betime si ato te noterja te Lana. Kjo përplasje parimore dhe institucionale solli edhe Manifestimin madhështor të 2 Marsit, pas të cilit “Rilindja” u detyrua të tërhiqte projektligjin antikushtetues. Për këtë konflikt u investua Komisioni i Venecias, ku Ilir Meta e shpartalloi 5-0 Edi Ramën dhe dvoranët e tij. 

Por së bashku me McGonigalët, Edi Rama e arriti qëllimin e tij për kapjen e drejtësisë, fillimisht përmes zgjedhjes antikushtetuese me 69 vota të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, kur Kushtetuta e votuar me 140 vota e përcaktonte qartë se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me të paktën 84 vota. Përmes kësaj zgjedhje antikushtetuese u kap Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) që polli edhe SPAK-un që kemi sot, si produkt të fëlliqur të këtyre akteve antikushtetuese e politizuese në ekstrem. Edhe rrëmbimi i Presidentit të Partisë së Lirisë ishte një tregues i këtij grushti shteti, ku SPAK nxjerr urdhër-arrestin të bazuar në një ligj që është shfuqizuar 4 vite më pare dhe ku Policia del mbi vetë urdhrin e SPAK-ut dhe përdor për rrëmbimin e ish-Presidentit dhe kryetarit të Partisë së dytë opozitare, në kundërshtim me ligjin dhe funksionet e tyre, Forcat Speciale Operacionale me maska, të paidentikuar, pa asnjë shkresë dhe duke hyrë me armatim të rëndë në makinë dhe duke përdorur makina private për rrëmbimin.

Dosja e stisur është akoma edhe më e fëlliqur se kaq. Lidhur me pretendimin më absurd se Presidenti Meta paska ndërhyrë te Enti Rregullator i Energjisë për të favorizuar CEZ-in kundër KESH-it kjo është krejt banale pasi është e provuar se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, që drejtohej prej tij dhe KESH iu kundërvunë këtij vendimi jo vetëm duke kërkuar rishikimin e tij, por edhe duke iu kundërvënë në të gjitha shkallët e gjykatave. Lidhur me akuzën qesharake se Presidenti Meta paska ndërhyrë për të favorizuar një biznesmen për ndryshimin e një ligji për minierat, amendamentet, sipas vetë SPAK-ut janë propozuar nga deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau dhe kështu janë votuar nga shumica ku LSI kishte 16 deputetë e PS mbi 60 deputetë.

E njëjta gjë me lobimet dhe me ordinerllëqet e tjera që bazohen mbi dëshmitarë të rremë dhe me probleme me drejtësinë, njëri përdorues droge, tjetri i dënuar për dhunë në familje dhe tjetri si mashtrues publik të cilit vetëm pak ditë më parë për këtë arsye ju hoq edhe licenca e avokatit. Gjykatat “afërmendsh” që do noterizojnë paligjshmëritë dhe arbitraritetin e “shenjtorit” me tre apartamente por me 1 rrogë shteti, Altin Dumanit që pak ditë më parë deklaroi se “vettingun e kanë kaluar edhe gjykatës dhe prokurorë të korruptuar”, duke ushtruar presion të hapur si bandit ndaj gjykatësve që mund të mos pajtohen me proceset e parregullta dhe politike të SPAK-ut.

Ndaj Indekset e Drejtësisë e rendisin sot Shqipërinë pas Vietnamit komunist dhe Bjellorusisë së Lukashenkos. E ndërkohë SPAK-u pret të shpërblehet pas zgjedhjeve në Maj 2025 me një mandat tjetër 9-vjeçar për shërbimet e pafundme që i ka bërë Edi Ramës dhe “Rilindjes” për të mbuluar krimet zgjedhore, për goditjet politike ndaj drejtuesve kryesorë të opozitës që i ka izoluar dhe “krimet intelektuale”, që vetëm SPAK-u nuk i shikon. Ndaj është detyra e të gjithëve ne që besojmë te Liria, Drejtësia, Demokracia, Sovraniteti dhe interesat kombëtare të shumëfishojnë angazhimin për t’iu kundërvënë në mënyrë ballore dhe pakompromis Narkoregjimit, që synon shkatërrimin e opozitës përmes Narkodrejtësisë dhe spakistëve të kapur prej fyti nga regjimi.

Kjo është një betejë e vështirë dhe e pabarabartë, por kjo është prova më e madhe për secilin prej nesh për të treguar vlerat tona, atdhedashurinë tonë dhe patriotizmin e vërtetë, në mbrojtje të familjes, të shoqërisë dhe të kombit. Ne do ta fitojmë këtë betejë për hir të ekzistencës së kombit tonë dhe do të jemi krenarë për sakrificat që po bëjmë e duhet të bëjmë. Desorosifikimi drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare. Të shumëfishojmë forcat dhe bashkëveprimin për të shporrur këtë pakicë të instaluar përmes krimit dhe korrupsionit", tha Blushi.

“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë

“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë

“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë

“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë

“SPAK të ndalë burgimet politike”, protesta e Partisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është vënë në pranga dhe është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB