TIRANË- Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas deklaratës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme se vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë. Bardhi u shpreh se nuk e kupton deklaratën e SPAK, pasi nuk është e qartë nëse ka pezulluar hetimet apo ka përfunduar hetimet. Sipas tij, Prokuroria nuk ka bërë përpjekje për të zbuluar të vërtetën. Demokrati tha se prokurorët nuk po tregohën profesionalë, por po kthehen qesharakë.
“Nuk i besova syve me atë që lexova. Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar. Ky ishte thelbi i atij njoftimi qesharak të prokurorisë, që e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrete dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes së mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama në çështjen e laboratorit të Xibrakës. Prokuroria njofton se kishte përfunduar hetimet për dosjen në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë thoshte se kam pezulluar hetimet dhe kam dërguar dosjen e plotë që polica e shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar atë që fshehur para 10 vitesh. E vërteta është krejt ndryshe, prokuroria as nuk ka hetuar dhe as nuk ka kryer asnjë veprim hetimor, për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal, deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar personat e përfshirë por deri tashmë të paidentifikuar. Dhe njoftimi se njëri nuk është, po ne nuk e dimë kush janë, është logjika që përdori para 10 vitesh Policia e Shtetit duke na thënë të gjithëve se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete, 45-vjeç, por nuk i gjente dot emrin.
I kuptoj prokurorët e SPAK se ndihen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës, por ata nuk kanë asnjë arsye për t'u bërë qesharakë dhe për të na kthyer të gjithëve në memorie se të bërit qesharakë në fakt e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend, që i njëjti prokuror, Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë e figurë dhe i tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhjet në Elbasan, në makinën e autorëve të asaj veprimtarie kriminale, nuk u gjetën materiale zgjedhore, nxitimi për të amnistuar bandën në pushet hasi në kundërshtimin e vetes vetëm tre ditë më vonë kur në gjykatë deklaroi që po, në makinën e personave të përfshirë në atë ngjarje kriminale u gjetën materiale zgjedhore. Në këto kushte duke ripërsëritur pas 4 vitesh veten, skam asnjë mesazh më shumë veçse për të ndjerë keqardhje se për shkak të presionit, të ndërhyrjes, për shkak të intmidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen në qesharakë. Personalisht e kam pasur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin i pandëshkueshëm për shkak të pushtetit të vëllait. Mirëpo Prokuroria kishte shansin të na tregonte që është e pavarur, e paanashme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë dhe të gjithëanshmëm. Unë sot do të ndalem vetëm në një fakt, në seancën plenare të datës 4 prill të vitit 2024, ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, zyrtarisht në seancë plenare, deklaronte, informonte Kuvendin se ai kishte dijeni se kush ishte identiteti i personit të moshës 45 vjeç me zë dhe me figurë. Pyetja ime për prokurorin Shehu është: A e ka thirrur Taulant Ballën për ta pyetur për informacionin se ai si ministër i Brendshëm i përcolli Kuvendit të Shqipërisë, që e njihte personin e moshës 45 vjeç dhe se nuk kishte asnjë lidhje me Partinë Socialiste apo Edi Ramën, por kishte lidhje me Partinë Demokratike. Mjafton ky fakt, për të treguar që nuk ka patur asnjë hetim konkret për të zbardhur të vërtetën. Ka patur vetëm një tentativë për të bërë shqiptarët si budallenj kur po hetohet dhe për të dal sot me atë njoftim qesharak. Gjithsesi duke ripërsëritur qëndrimin tim se i kuptoj që janë të pafuqishëm kam vetëm një lutje: Na kurseni të bërit qesharak! Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë deri në qëndrime të tilla, ku fjalia e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë, apo qëndrime të tipit ne nuk e dimë se kush është, por betohemi para Edi Ramës se Olsi Rama nuk është. Kaq për sonte, pasi nuk dekurajohemi, kësaj çështje do t'i shkojmë deri në fund. E vërteta siç doli në rastin kur prokurori Shehu gënjeu për ngjarjen e Elbasanit, do të triumfojë dhe pse do të marrë pak kohë”, tha Bardhi.
Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit./ZËRI