
TIRANË- Në mbledhjen e zhvilluar të grupit parlamentar deputeti demokrat Asllan Dogjani ka folur rreth vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të çuar dosjen e tij për gjykim. Dogjani u shpreh se SPAK po e heton vetëm sepse ka denoncuar çdo ditë korrupsionin dhe krimin e qeverisë. Në fjalën para deputetëve të PD-së, Dogjani u shpreh se SPAK në vend që të hetojë vilat dhe hotelet e Ramës, merren me një apartament të tij që jeton që nga viti 2006.
"Dua të ndaj rastin tim lidhur me një ndjekje penale ndaj meje nga qeveria e Ramës. Kam denoncuar kudo ku kam qenë korrupsionin e kësaj qeverie. Shkuarja ime në SPPAK, bëhet fjalë për një shtëpi që jetoj me 3 fëmijët e mi që në vitin 2006. Pra shikojeni ku ka rënë niveli i SPAK. Në vend të merret me hotelet, vilat, grabitjet e pronave publike, Portin e Durrësit, ndaj meje fillon një procesim dhe ‘oburra ta çojmë në SPAK’ pa asnjë provë. SPAK duhet të merret me ata që vjedhin. Unë kam denoncuar grabitjen e pronës publike në mes të kryeqytetit. Shtëpia është me dokument para noterit. Pas 20 vitesh, meqë kam kërkuar interpelancë me Ramën për këtë çështje, është dirigjuar për të bërë kallëzim ndaj meje mos deklarim pasurie. Kjo sepse kam denoncuar grabitjen e një prone publike në mes të Kryeqytetit, para pallatit tonë nga ky ndërtues që është dirigjuar nga Rama dhe Veliaj për të bërë kallëzim. Shtëpia ime është me dokument para noterit dhe me një deklaratë të lëshuar nga ky ndërtues sesi është lëshuar për shkak të shërbimeve. Është sulm ndaj meje dhe deputetëve me qëllim për ta bërë pis dhe opozitën se; ne jemi të gjithë njësoj. Dhe meqë jemi të gjithë njësoj, vjedh Edi Rama dhe po ashtu ne. Ne nuk jemi hajdutë. SPAK duhet të merret me ata që vjedhin. Do bëjë çdo gjë që SPAK të merret me ligjin dhe jo të dirigjohet dhe mos marrë urdhra politikë nga Edi Rama”,-u shpreh Dogjani.
Një ditë më parë SPAK e mori të pandehur deputetin Asllan Dogjani për veprën penale të deklarimi të rremë të pasurisë, dhe dosjen e tij e ka kaluar për gjykim. Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën ‘Hamid Shijaku’, në zonën e njohur ndryshe si ish-stacioni i Trenit në Tiranë.
SPAK njoftoi se deputeti Dogjani ka blerë një apartament në vitin 2006 dhe e ka paguar me 121 mijë euro kesh, në mënyrë që të fshehë burimin e të ardhurave. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shton se më 24 Mars 2010, deputeti deklaroi se e kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial". Apartamentin, deputeti tha se e kishte marrë në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar kompanisë. Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe në deklarimin e pasurisë që bëri më 16 Qershor 2023. Por rezultoi se për apartamentin, deputeti ka paguar në "cash" shumën prej 121.980 eurove./ZËRI