
TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot në seancën e parë ankimimin e disa partive të vogla si dhe deputetëve të opozitës për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor, të miratuara në fund të korrikut nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Partitë i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën ndryshimeve që bënë duke mbyllur listën e kandidatëve për deputetë, në pjesën më të madhe të saj. Deputetët kërkojnë që të mos ketë dy lista, të hapura apo të mbyllura por të jenë tërësisht të hapura dhe deputeti që shkon në Parlament të zgjidhet direkt me votë.
Deputeti Dashamir Shehi i pranishëm në seancë tha se me ligjin shkelen parimet elementare dhe kandidatët nuk janë të barabartë para votës. Ai i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojnë a është e moralshme kjo marrëveshje PS e PD e kthyer tashmë në ligj.
Dashamir Shehi: Ky ligj që është sot i ka të gjithë elementet për të qenë kushtetues. Ju mund ta kaloni por dhe mund ta ndryshoni. Unë them se gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit. Maxhorancat kanë të drejtën e vet të bëjnë ligje. Në këtë rast kemi një marrëveshjes mes dy maxhorancave, PD e PS, por gjykata Kushtetuese nuk është thjesht për të mbrojtur maxhorancën apo për ti dhënë të drejtë, por për të mbrojtur minorancën. Kështu garantohen të gjithë palët. Edhe zotërinjtë e dy palëve të maxhorancës që kanë bërë këtë marrëveshje që është kthyer me ligj të ruajnë të drejtat e veta që kanë pretenduar por dhe pjesa tjetër e shqiptarëve që mendojnë për ndryshim të kenë mundësi të marrin të drejtat e veta. Kanë bërë një gardh, kanë rrethuar kundërshtarët e vet që tia bëjnë të pamundur të konkurojnë politikisht. Si mendoni a mund të mbushë një parti 1/3 e votave që ti burojë e drejta që të marrë një kandidat nga lista e hapur kjo është e pamundur në të gjithë territorin e Shqipërisë. A duhet patjetër që të mbash një të tretën e listës që të hyj dikush prapa që të marrë shumë më tepër vota, sesa ato kanë hyrë në listën e mbyllur është shkelje e parimit, se nuk jemi të barabartë. Janë të gjitha shanset, do i bënit një nder të madh sensit të shtetit shqiptar. Në një farë mënyrë jo se do i bënit favor disa parti të vogla,se ato hyjnë në parti të mëdhaja. Kush do të bëhet deputet do e gjejë shtegun për tu marrë vesh, sic ka ndodhur. Nëse do i kthejmë sensit të Kushtetues, jo intepretimit klasik. Të gjithë ligjet janë të kushtetueshme, por a janë të moralshme? Prandaj ju ftova të reflektonit mbi këtë koncept.
Ndërkohë gjatë seancës disa nga partitë hoqën dorë nga kërkesa për pezullimin e zbatimit të neneve 67 dhe 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024.
Forcat politike që bënë ankimim janë: Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Nisma Thurje, Aleanca Demokracia e Re, Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim, Partia Kombëtare konservatore Albania, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar, Partia Ora e Shqipërisë, Organizata Shqipëria Bëhet, Lulzim Basha, Oriola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj - i përfaqësuar nga Jordan Daci.
KËRKESA E PARTIVE:
Shfuqizimi i neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të neneve 67 dhe 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024. Interpretimi përfundimtar i nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimi i tij.
Sipas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor 1/3 e listës së kandidatëve për deputet do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë dhe nuk i nënshtrohet votës preferenciale. Ndërsa kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët. Për herë të parë do të votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë./ZËRI