
TIRANË- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh sot në orën 12.00 për të vijuar me debatin për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj. Gati 2 javë më parë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i kërkoi përmes një shkrese zyrtare kryeparlamentares Elisa Spiropali që të thërriste mbledhjen e Këshillit. Takimi i fundit u mbajt më datë 18 shtator, por u ndërpre pasi në mes të mbledhjes u mor vesh lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani. Ndaj edhe sot u caktua takimi i radhës. Mbledhja u shoqërua me tensione dhe debate mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. Bardhi i tha Sinajt se ai duhej të ishte në burg për mashtrim dhe për vjedhje. Nga ana tjetër, Sinaj iu përgjigj duke shtuar se bën biznes të ndershëm dhe nuk ka kryer asnjë vjedhje.
DEBATI MES TYRE:
Gazment Bardhi: Unë ditën i nderuar që do fus duart në buxhetin e shtetit dhe në pasurinë publike absolutisht do të duhet të jem i akuzuar, do duhet të më bëhet gjyq publik, do duhet të shkoj në burg, pa asnjë diskutim, ditën që do t’i prek një qindarkë buxhetit të shtetit. Ditën që do t’i prek si ty një qindarkë buxhetit të shtetit të jesh i sigurt që do të jem i nderuar që të jem i akuzuar. Nuk marrim urdhra nga ty ne këtu se ne jemi anëtarë të Këshillit të Mandateve. Ti e merr fjalën sa herë ne ta japim, ndërsa ne flasim sa herë të na lejojë rregullorja e Kuvendit.
Vullnet Sinaj: Më tha jam i akuzuar, por nuk jam i akuzuar. Ka një mocion për mandatin tim, të padrejtë, por jo i akuzuar unë. Unë jam ai që akuzoj atë për këtë, që ka shkatërruar pronën e shtetit. Jam unë që e akuzoj atë. Jo unë i akuzuar. Është ai i akuzuar. Dhe nuk kam vjedhur unë. Unë bëj biznes të ndershëm. Sikur të bënin të gjithë biznes të ndershëm sikur bën biznesi im. Një njeri që nuk i ka thënë punës mirëmëngjes një ditë kështu do flasë. Nuk mund të të lejoj fare ty sepse ti ke gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe do vjellësh tërë jetën. Do ta tregojë historia punën tënde.
Gazment Bardhi: Nuk e drejton ti mbledhjen, e drejton kryetarja. Nëse deputeti është këtu për të drejtuar mbledhje pa ja dhënë ju të drejtën. Unë i kam dhënë lekë buxhetit të shtetit për dëmin që kam shkaktuar. Ti ke futur duart në buxhetin e shtetit dhe nëse jemi këtu zotrote na thuaj edhe lejet e ndërtimit që ke marrë në Tiranë. Nëse je deputet shërbeji interesit të publikut. Ata që fusin duart në buxhetin e shtetit siç je ti do kesh gjithmonë gishtin e ngritur sepse ke shkelur Kushtetutën.
Vullnet Sinaj: Nuk kam marrë asnjë leje ndërtimi, e them publikisht. E vetmja leje ndërtimi ka qenë para se të bëhesha deputet për biznesin. Asnjë leje ndërtimi. Ti vazhdon akoma të gënjesh akoma. Vazhdon vesin sepse ty s’të le vesi i gënjeshtrës. Ti je shpifës. Ti je një gënjeshtar dhe një shpifës që nuk të lë vesi të gënjesh.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi propozoi që të pritet deri sa të merret vendimi i kërkuar nga Komisioni i Venecias. Ai kërkoi që të ndiqet e njëjta procedurë që po ndiqet me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Bledi Çuçi: Nuk jemi ne që e vendosim nëse jemi në kushtet që ka apo jo papajtueshmëri me mandatin. Zoti Sinaj ka bërë gjithë përpjekjet në hapësirat e tij për të shmangur konfliktin e interesit. Por këtu nuk jemi për këtë. Është Gjykata Kushtetuese që e vendose këtë gjë. Si shkon në Gjykatën Kushtetuese konstatimi për një çështje të tillë? Kjo është pyetja. Ne jemi në pritje të një opinioni të Komisionit të Venecias dhe nëse ky Komision e konstaton një paqartësi kushtetuese është detyra jonë ta sqarojmë këtë çështje. Unë si deputet nuk detyrohem nga askush të marrë një vendim të caktuar apo të votojë në një formë të caktuar. Për të zgjidhur këtë konflikt kemi kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias. A do të shkojmë në seancë po njësoj siç kemi vepruar deri më tani apo të presim opinionin e Venecias dhe pastaj t'i shkojmë seancës? Propozimi im është të presim opinionin e Komisionit te Venecias dhe pastaj të shkojmë ne seance", tha Çuçi.
Bardhi tha se nuk mund të presin vendimin e Këshillit të Venecias, por duhet të marrin për bazë atë të Gjykatës.
Gazment Bardhi: Nuk mund të presim Këshillimin e Venecias. Këshillat nuk janë të detyrueshme, vendimet e Gjykatave, po. Prandaj ekzistojnë gjykatat që kur dy palë në konflikt, të shkojnë të zgjidhin konfliktet e tyre.
Pas "shterimit" të debatit mes tyre, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, propozoi që të pritet opinioni i kërkuar nga Komisioni i Venecias për mënyrën se si duhet të votojnë deputetët në raste të tilla. Kjo kërkesë është dërguar për rastin e ish-ministres së Jashtme të vendit, Olta Xhaçka.
"Sinaj ka bërë gjithë përpjekjet në hapësirat e tij për të shmangur konfliktin e interesit. Por këtu nuk jemi për këtë. Është Gjykata Kushtetuese që e vendosë këtë gjë. Ne jemi në pritje të një opinioni të Komisionit të Venecias dhe nëse ky Komision e konstaton një paqartësi kushtetuese është detyra jonë ta sqarojmë këtë çështje. Propozimi im është të presim opinionin e Komisionit të Venecias dhe më pas ta kalojmë për në seancë,"- tha Çuçi. Por kërkesa u kundërshtua nga Bardhi, i cili tha se Kuvendi duhet të marrë një vendim përmes votës, nëse do ta dërgojë në Kushtetuese rastin apo jo.
Tashmë, mbledhja ka përfunduar dhe pritet që të dalin me një raport, por ende nuk ka një datë se kur do të shqyrtohet sërish çështja e socialistit.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve. Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij. Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k./ZËRI