
TIRANË- Me 75 vota pro, 0 abstenim dhe 40 kundër u miratua sot në Kuvend projekt buxheti për vitin 2025. Në momentin e votimit ishin prezentë 116 deputetë. Sipas projektbuxhetit do të ofrohen 8.2 miliardë euro që do të shpenzohen në paga, investime, mbrojtje sociale, rindërtimin, interesa borxhi, fonde rezervë, për pushtetin vendor, ndihma ekonomike, kompensime, bujqësia dhe skema të tjera.
Sipas relacionit të projekt buxhetit rreth 1/3 nga shpenzimet do të shkojë për mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, skemën e pensioneve, për ndihmën ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimi ish-pronarëve me në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.
Pas dy ditësh diskutime, seanca plenare u mbyll në orën 20:30. Po ashtu, opozita dhe qytetarët zhvilluan një protestë që zgjati pothuajse një orë jashtë Parlamentit për të kundërshtuar miratimin e buxhetit. Protesta u thërrit nga kreu Partisë Demokratike, Sali Berisha. /ZËRI