Politikë

Siguria në vend! Rama: Sistem monitorim me kamera, jemi pranë mesatares së BE për numrin e vrasjeve

Rama njoftoi një projekt të ri për forcimin e sigurisë publike, përmes një sistemi modern survejimi me kamera në 20 qytete të vendit.

F.I
Siguria në vend! Rama: Sistem monitorim me kamera, jemi pranë
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin e organizuar nga Ministria e Brendshme, e cila prezantoi një anketim të financuar nga qeveria suedeze, që mat perceptimin e qytetarëve mbi nivelin e sigurisë dhe besimin tek Policia e Shtetit. Kreu i qeverisë është shprehur se përgjatë viteve ka pasur ulje të kriminalitetit në vend, duke shtuar se 2024 u mbyll me më pak vrasje.

Edi Rama: Po të lexosh çfarë shkruhet për rendin dhe policinë e shtetit është vend për të ikur me vrap, ku s’ka rend e sigurisë, ku policia e shtetit është pa forcë e besueshmëri. Por gjëja më e mirë dhe inkurajuese është që faktet dhe shifrat, flasin të kundërtën, flasin për ulje të vazhdueshme të kriminalitetit, edhe 2024 nuk zhgënjeu, por u mbyll si të gjitha vitet që kur kemi ardhur në detyrë, me ulje të nivelit të vrasjeve. Sot si në të gjitha të dhënat kryesore jemi shumë pranë mesatares së BE dhe lajmi i mirë është që këtë të vërtetë e lexon edhe në faqet e kësaj anketë. Shqiptarët, publiku, ata që jetojnë në jetën e përditshme këtu, në të gjitha herët e anketimit, qëkurse kryhet kjo anketë, janë shumë po shumë afër logjikës së fakteve dhe shifrave të progresit të policisë së shtetit.  82% ndihen të sigurt në Shqipëri dhe kjo është brenda normës së mesatares së BE. Anketa ka të dhëna edhe të Shqipërisë në raporte me vendet e tjera, shihet qartë si Shqipëria ka ndryshuar dhe është afruar drejt mesatares së BE, duke qëndruar në mes vendeve evropiane. Vetëm 4% e qytetarëve kanë qenë pre e grabitjes apo vjedhjeve vitet e fundit, kjo shifër është më e ulët dhe mesatarja e BE, e cila është 9%. Kjo është e vendeve më të sigurta në BE, në këtë vendin tonë ku të gjithë vriten, sulmohen. 65% e qytetarëve vlerësojnë punën e policisë si të mirë dhe shumë mirë, që është një përmirësim domethënës nga ku jemi nisur dhe që tregon se reformimi i policës vazhdon të jap fyte. Ajo që është më e rëndësishme, është se shifrat janë konstante ne përmirësim. Ishte mbi 100 vrasje në vit mesatarja, një vrasje çdo tre ditë, sot është në numrin më të ulët historik. Ka akoma plot të meta dhe masa të tjera për të transformuar policinë, që të qëndrojë aty në mes të policisë në BE. As e para as e fundit, por te mesi i artë, duke garantuar standardet dhe vazhdimësinë e saj.

Në fjalën e tij, Rama tha se duhet të ndajmë lajmet e rreme dhe baltosjen e Policisë së Shtetit, për të ndarë pasqyrën e sigurisë që mbulon Policia dhe pasqyrat e deformuar të ekraneve, portaleve dhe mediave. Më tej, kreu i qverisë shtoi se siguria nuk është vetëm mision i Policisë, por i të gjithëve, deri tek qytetarët. Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi një projekt të ri për forcimin e sigurisë publike, përmes një sistemi modern survejimi me kamera në 20 qytete të vendit. Ky sistem do të monitorohet në salla të dedikuara dhe do të fokusohet kryesisht te qarkullimi rrugor dhe identifikimi i shkelësve.

Edi Rama: Është një arsye e rëndësishme kjo e sotmja, për të ndarë disa mendime. I vetmi shtet i qëndrueshëm është ai në të cilin njerëzit janë të barabartë përpara ligjit, thotë Aristoteli. Na është konfirmuar nga çelja e negociatave me BE-në, të cilat nuk janë asnjë dhuratë dhe asnjë vendimmarrje e thjeshtë politike, por janë një konstatim i progresit të bërë në radhë të parë të qenit të barabartë përpara ligjit dhe nga ana tjetër, na vendos përballë sfidës së vazhdueshme të atij niveli barazie, që rrit qëndrueshmërinë e lirisë individuale dhe të sundimit të ligjit. Sot unë erdha këtu sepse së pari, këshilli i sigurisë në komunitet meriton një interes të veçantë, që policia nuk është vetëm një shërbim publik, por i shumë faktorëve. Duke nisur në radhë të parë, nga çdo prind i kësaj Republike, qytetarët janë baza e sigurisë. Do të kemi transformim epokal sa i përket survejimit me kamera të qyteteve, me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit. Një sistem i bazuar te fjala e fundit e teknologjisë digjitale. Salla monitorimi në qytetet që do kenë këtë sistem. Do të fillohet me 20 qytete.

Poll

MOS HUMB