TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me çështjen e Zvërnecit, duke ndarë në rrjete sociale dy projekte të realizuara nga bashkëinvestitorët nga Katari, duke shkruar se të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe në Zvërnec. Krahas imazheve Rama u përgjigjet protestuesve, duke i cilësuar reagimet si pjesë të një “lufta hibride”.
Kreu i qeverisë shkruan se dy vëllezërit nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat e kanë paguar truallin privat në Zvërnec me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare. Rama thekson se ky projekt përfaqëson një zhvillim në harmoni të plotë me natyrën, ashtu si dy ishujt e realizuar më parë nga e njëjta kompani.
Edi Rama: NUK SHEH SYRI SHEH MENDJA
Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë. Po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit, të cilët fatkeqësisht janë manipuluar nga lufta hibride që po zhvillohet egërsisht në rrjetet sociale nga armiqtë e vendit e tonë.
Kështu, siç e tregojnë këta dy ishuj në foto, e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec, dy vëllezërit e famshëm nga Katari që e kanë paguar pronën me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare, si edhe bashkëpronarë të konglomeratit global Power Holding, një fuqi e madhe sipërmarrëse jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe më gjerë.
Kush do të njihet me aktivitetin e tyre dhe të mësojë më shumë edhe për dy zhvillimet e bukura të postuara këtu, le të klikojë powerholding.com që të kuptojë se kush po vjen në këtë Shqipëri të rilindur ndërkombëtarisht, e pse s’mund të vijë kurrë dot për të prishur po vetëm për të lartësuar.
Ndërsa kush nuk do të dëgjojë e të kuptojë, do duhet të presë si ata që ishin kundër stadiumit kombëtar, e pastaj panë finalen europiane në Tiranë duke bërë selfije me stadiumin. Ah po, edhe duke bërtitur “Rama IK” se harrova.