TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka treguar sot edhe një herë mbështetjen e tij për investimin në Zvërnec, duke deklaruar se është dakort. Gjatë mbledhjes së grupit, kryedemokrati tha se edhe PD do të kishte pasur qëndrimin për ta zhvilluar zonën.
Berisha ka pohuar se edhe ai vetë, po ashtu edhe ish-kryeministri Fatos Nano, janë marrë personalisht në të kaluarën për t’ia ofruar Sazanin investitorëve të huaj, duke theksuar se bëhet fjalë për projekte të përmasave të mëdha dhe jo investime të thjeshta. Po ashtu ai komentoi edhe thirrjet kundër për ndërtimin në Sazan, ku i cilësoi si 'hipokritë'.
Sali Berisha: Reagimi im ndaj këtij lajmi ka qenë ky, plotësisht dakord. Sepse i ka paratë. Thuhej që fondi saudit janë fondet publike të investimeve, është fond trilionësh dhe natyrisht paratë ishin. Arsyeja bazë pse kam thënë po ka qenë kjo dhe e kam lidhur me paratë. Me këtë unë nuk kisha dyshim se Rama po blinte influencë politike, por përsëri për mua interesi i vendit dilte mbi këtë. Investimi në Zvërnec është marrëdhënie private. Sa i përket atyre që qajnë për ishullin, janë hipokritë sepse Sazanin, në mënyrë absolute, ua kemi ofruar investitorëve edhe unë edhe Nano dhe nuk është investim i thjeshtë. Ata që qajnë elegjinë e Sazanit janë një grup hipokritësh. Të derdhin lot sa të duan, se jam marrë direkt, edhe Fatos Nano është marrë. Asgjë nuk prishet aty, o miq, Çudia e Sazanit është kjo… është ajo bimësi e mrekullueshme në një ishull pa ujë. Bimësia do ruhet, pra Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, dakord, tani ne mbështetëm investimin e huaj.
Gjatë fjalës së tij Berisha komentoi edhe ndërtimet në një zonë të mbrojtur, ku deklaroi se kjo ndodh kudo dhe se BE e ka përcaktuar me kritere.