TIRANË-Deputeti socialist Erion Braçe është shpallur i pafajshëm me një vendim të Gjykatës së Posaçme, pas padisë për shpifje që kishte depozituar ndaj tij një biznesmen i identifikuar si Anduel Çekrezi.
Kallëzimi ndaj deputetit u bë nga biznesmeni Anduel Çekrezi, në kuadër të një konflikti të gjatë pronësie në zonën e Imshtës në Lushnje, pas disa postimeve që ka bërë në rrjetet sociale, ku i akuzonte ata si mashtrues ordinerë që kanë grabitur tokën publike. Çështja ka të bëjë me pretendimet për zaptimin e tokave të banorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Sot, Gjykata e Posaçme ka dëgjuar të dyja palët dhe avokatin mbrojtës të biznesmenit Anduel Çekrezi, duke rrëzuar pretendimet për shpifje ndaj Erion Braçes dhe i ka dhënë këtij të fundit pafajësinë.
Anduel Çekrezi: Sot nuk dua të ndalem tek argumentet juridike, por dua të flas si qytetar. Kam ardhur në Tiranë 14 vjeç, nuk kam patur asnjë përfitim nga pasurie publike apo privilegji shtetëror. Për mua kjo çështje s’ka qenë kurrë një çështje për pronën, jam denigruar nga një funksionar i lartë qe ka mbajtur detyrën deri zv. kryeministër. Ligji mbron reputacionin e qytetarit. Gjatë viteve kam ndërtuar marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit. Për këtë arsye kur që qytetar denigrohet, dëmi prek gjithçka që qytetari e ka ndërtuar me mund dhe djersë. Për këtë pronë janë kryer qindra verifikime. Ajo që më ka bërë përshtypje nuk ishte diskutimi mbi të drejtën e pronësisë, por na u sugjerua të hiqnim dorë. A ka të drejtë një pushtetar të orientojë politika investimi e më pas të etiketojë? Kuptova që problemi nuk ishte toka që kisha blerë. Unë frikë nuk kam, dhe mesazhi i qartë që duhet të dalë nga kjo gjykatë është se shpifja nuk mund të përdoret për të nënshtruar.
Erion Braçe: Shumë faleminderit qe më lejoni që këtë çështje ta zgjidh në rrugë gjyqësore. Faleminderit që erdhi momenti që këtë çështje ta diskutojmë këtu në gjykatë. Në vendin tonë mund të flasësh të flasësh dhe ke përpara zyrtarë që nuk përmbushin ligjin, edhe kur ti i thua qe ka një ligj në fuqi ata përsëri thonë nuk e njoh atë ligj. Kështu që kjo është një mundësi shumë e mirë. Se thelbi i padisë qe është kryer ndaj meje në cilësinë e deputetit, por synon të legjitimojë arë pronën atje dhe qe synon ti mbyllë gojën një deputeti të republikës.
Vendimi i GJKKO-së:
“Viktima akuzuese, shtetasi Anduel Çekrezi me datë 03.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin dhe shpalljen fajtor të z. Erion Braçe, për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes”, së kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal”.
-Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 45, datë 03.06.2026, vendosi:
-Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Erion Braçe, për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes”, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi dytë i K.Penal.
-Shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë bërë.
-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës”.