TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shfaqur kritika ndaj menaxhimit të Radio Televizionit Shqiptar, teksa u shpreh se u shpreh se reforma e RTSH ka dështuar. Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, Rama u shpreh se aktualisht Shqipëria nuk ka një TV publik funksional, teksa shtoi se RTSH duhet të shqyrtojë opsione si privatizimi apo partneriteti dhe deri te mbyllja përfundimtare.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se qeveria nuk do t’i japë asnjë fond shtesë deri sa televizioni publik të meritojë taksat e qytetarëve: "S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë".
“Kam tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje, ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam, parë është në vitin 1990 pata përmbysjes së protestave. Që atëherë televizion publik s’kam parë, kam vajtur i ftuar po as veten skam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh, se kam shkuar në një përshpirtje atje që duhet përshpirtje publike, më kanë parë i kam parë ata në sallë dhe jashtë studios s’më ka parë njeri. Drejtuesit e RTSH, të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, se unë nuk e shoh dhe kur ndonjëri nga ju më thoni shiko çfarë bën RTSH. Të gjithë drejtorët i kam takuar pasi janë zgjedhur. U kam thënë mbylleni, nxirrni në ekran, televizioni publik i kërkon ndjesë popullit, të gjitha familjeve, në republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar siç jeni edhe ju të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob, ju premtojmë se do reflektojmë dhe do rikthehemi në ekran kur të jemi gati dhe të bëjmë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera me më pak buxhet shumë më tepër sukses, sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duan të drejtën për të transmetuar ndeshjet e kombëtares, por leket nuk i paguajnë sepse ne jemi publik, doni lekët tona, shkoni tek qeveria. S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përvec kësaj që është. Unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median, e vëra këtë aventurë thjesht për pak gjëra dhe u mbeti Shqipërisë atje ajo paragrafi, drafti i ligjit për median. Sot BE diskuton shumë më tepër se aq, por nuk merrem, as me mediat online, as tv publik, ju që vuani shpifjet e tyre merruni”, tha Rama.
Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës së kryeministrit që e cilësoi tekvizion publik një 'dështim', ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Përmes një reagimi publik, Asociacioni i Gazetarëve shpreh shqetësimin e thellë, teksa thekson se kjo retorikë “stigmatizon median publike” dhe “cenon parimet e lirinë e medias.” Sa i përket seklaratës se nuk do të ketë asnjë fond shtesë për RTSH, AGSH shprehet se refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), të bëra më 16 janar, ku televizioni publik u cilësua si “dështim” dhe u hodhën në tavolinë opsione ekstreme si mbyllja, privatizimi apo partneriteti.
AGSH vlerëson se retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci për pavarësinë editoriale, cenon parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe standardet evropiane për lirinë e medias. Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët.
Është e papranueshme që përgjegjësia për dështimet strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm institucionit, duke anashkaluar faktin se për vite me radhë ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës dhe paqëndrueshmëria financiare edhe përmes abuzimit të të emëruarve politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tij.
Refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike. AGSH thekson se çdo reformë e RTSH-së duhet të ndërtohet mbi dialog të gjerë me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e medias, duke respektuar praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare. Opsionet si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë masa ekstreme që do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë për vite me radhë ka bërë thirrje për reforma të thella në RTSH, që lidhen kryesisht me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues e më pas me Drejtorin e Përgjithshëm, si dhe një reformë e brendshme strukturore”, thuhet nëdeklaratë./ZËRI