TIRANË- Sekretariati i Etikës do të mblidhet nesër në orën 09:30 për kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe referimin pranë SPAK.
PS ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Shehaj pas publikimit të një videoje ku ai mori një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 74 votat e Partisë Socialiste marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake. Diskutimet u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa Partia Demokratike bojkotoi seancën./ZËRI
