LUKSEMBURG- Komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, gjatë hapjes së grupkapitullit të radhës të negociatave me Bashkimin Europian në Luksemburg.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin irlandez për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen Thomas Byrne, Kos u ndal te afrimi i politikave industriale shqiptare me ato të BE-së, duke theksuar rëndësinë e bizneseve të vogla dhe të mesme për ekonominë e vendit.
View this post on Instagram
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE-së. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë”, tha Kos.
Komisionerja për Zgjerimin përgëzoi Shqipërinë për arritjet në procesin e negociatave, ndërsa bëri të ditur se objektivi i vendosur nga vendi për përmbylljen e reformave deri në fund të vitit 2027 mbështetet nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, ajo nënvizoi se përmbushja e këtij synimi kërkon vijimin e reformave.
“Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje. Shqipëria i ka vënë ambicie për të mbyllur reformat deri në fund të 2027, ne e mbështesim këtë ambicie, por reformat duhet të vijojnë”, u shpreh Kos.
Procesi i negociatave me BE-në vijon të jetë në fokus të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin europian, ndërsa përmbushja e reformave mbetet një nga elementet kryesore për avancimin drejt anëtarësimit./ZËRI