TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar largimin e deputetes Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalsorja”, nga Partia Socialiste. Ajo u largua pak ditë më parë nga PS dhe ka vendosur të vijojë mandatin e saj në Kuvend si deputete e pavarur.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, Rama u ndal te ky zhvillim politik. Me tone ironike, kryesocialisti u shpreh ndaj disa figurave që, sipas tij, kanë qenë pjesë e Partisë Socialiste dhe më pas sipas tij, "filluan t'i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit".
“Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj as janë bashkë, por u mblodhën së bashku në një prurje që nxori në bregun e gjithë atij oqeani virtual deri te dhëmbët e atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit”, u shpreh Rama.
Më 14 qershor Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të jetë deputete e pavarur. Ajo arsyetoi se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë, duke lënë të kuptohet një përplasje me liderin e PS, Edi Rama. Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Pas largimit, ajo ka njoftuar mbështetjen për protestën e Flamingove, një lëvizje qytetare që kërkon largimin e klasës aktuale politike./ZËRI