TIRANË- Partia Socialiste do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës së zgjeruar të Grupit Parlamentar, ku do të diskutohen çështje të aktualitetit politik si dhe organizimi i punës së ardhshme të grupit parlamentar.
Mbledhja që po zhvillohet me dyer të mbyllura, ka nisur që prej orës 10:00 në Pallatin e Brigadave, ka mbledhur së bashku deputetët e Partisë Socialiste dhe ministrat e qeverisë. Pritet që mbledhja të zgjasë deri në orën 17:00.
Sipas agjendës, takimi do të hapet nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili pritet të japë drejtimet kryesore politike dhe organizative për periudhën në vijim.
Agjenda e mbledhjes së Grupit të PS:
Hapja e mbledhjes nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.
-Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.
-Informim mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit. Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
-Informim mbi paketën e ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
-Informim mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit.
Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
-Informim mbi ecurinë e Reformës Administrative Territoriale. Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
-Informim mbi detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar dhe performancën e anëtarëve të Grupit Parlamentar.
Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
Mbledhja do të përfundojë sërish me fjalën e kryeministri Rama dhe kreut të Grupit, Taulant Balla.
Kjo është mbledhja e parë e Partisë Socialiste që prej nisjes së protestave kundër ndërtimeve në Zvërnec, të cilat kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë marrë vëmendje edhe në media ndërkombëtare. Takimi zhvillohet gjithashtu në një moment zhvillimesh brenda grupit parlamentar socialist, pas largimit të deputetes Marjana Koçeku nga radhët e tij./ZËRI