Politikë

Rama: Shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës s'janë diasporë, sa për mua le të paguajnë naftë e qeleshe...

Ai shkruan se flamuri i UÇK-së është përdhosur duke u përdorur për rrëzimin e qeverisë në Tiranë.

F.I
Rama: Shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës s'janë
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur një ditë më parë në Tiranë (20 qershor), ku qytetarëve iu bashkua në tubim edhe diaspora. Kreu i qeverisë shprehet se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk janë diasporë, por popull shtetformues në tokën e tyre. Rama thekson se diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja dhe jo ata që kanë shtetin e tyre të pavarur.

Sipas kreut të qeverisë, ka sponsorë që po përpiqen të shkaktojnë “dëm kombëtar.” Ai shkruan se flamuri i UÇK-së është përdhosur duke u përdorur për rrëzimin e qeverisë në Tiranë. Rama një përgjigje e ka dhe për kërkesën e tyre gjatë protestës që të japë dorëheqjen duke shkruar në portimin e tij: "Sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Edi Rama:

Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj! Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur. Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:

“Ju rrugaça e sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.

Poll

MOS HUMB