SHBA- Përmes një videomesazhi kryeministri i vendit Edi Rama ka përcjellë nga Kombet e Bashkuara mesazhin e Shqipërisë në kuadër të SDG Moment 2026 duke vendosur në qendër të fjalës së tij rrugëtimin europian të vendit dhe objektivat për vitet e ardhshme.
Rama deklaroi se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 dhe të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. Sipas tij ky proces është i lidhur drejtpërdrejt me përmbushjen e Agjendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Kryeministri renditi një sërë treguesish që dëshmojnë progresin e Shqipërisë. Ai tha se varfëria është ulur nga 23.7 për qind në 19 përqind ndërsa vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit iu kushtua edhe digjitalizimit të shërbimeve publike. Rama deklaroi se më shumë se 95 për qind e tyre ofrohen tashmë online. Në sektorin e energjisë, ai tha se pothuajse e gjithë energjia elektrike e vendit prodhohet nga burime të rinovueshme.
Rama përmendi gjithashtu përfaqësimin e grave në politikë, duke deklaruar se ato zënë 35 për qind të vendeve në Kuvend dhe afro 50 për qind të posteve ministrore. Sa i përket financave publike, ai theksoi se borxhi publik ndodhet nën nivelin 60 për qind.
Sipas kryeministrit, këto të dhëna janë pjesë e një procesi më të gjerë transformimi. Ai bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria renditet e 44-ta në nivel global në Indeksin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2026.
Në vijim të videomesazhit Rama njoftoi edhe angazhimin e Shqipërisë me 6 milionë dollarë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve. Sipas tij, fondi do të fokusohet te mbrojtja e fëmijëve, përgatitja e bizneseve për tregun e përbashkët europian, rigjallërimi i komuniteteve lokale dhe forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Mesazhi i kryeministrit u përcoll në kuadër të aktivitetit të OKB-së për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të zhvilluar më 18 shtator në New York. Aktiviteti i këtij viti u fokusua te përshpejtimi i zbatimit të Agjendës 2030, ndërsa OKB-ja ka vlerësuar se progresi global drejt objektivave mbetet shumë i ngadaltë dhe i pabarabartë.
Videomesazhi i Kryeministrit Rama:
“Përshëndetje nga Shqipëria për të gjithë ata që po i bashkohen këtij Momenti të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga e gjithë bota.
Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët. Ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian.
Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk janë tri rrugë të ndryshme.
Ato janë një rrugë e vetme transformimi.
Që nga Rishikimi ynë Kombëtar Vullnetar në vitin 2018, varfëria ka rënë nga 23.7 në 19 për qind, vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar, më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike tashmë ofrohen online, pothuajse e gjithë energjia jonë elektrike vjen nga burime të rinovueshme, gratë mbajnë 35 për qind të vendeve në parlament dhe afro 50 për qind të posteve ministrore. Borxhi publik është shumë më poshtë se 60 për qind.
Këto nuk janë thjesht statistika.
Ato janë dëshmi se ndryshimi është i mundur.
Dhe Shqipëria tani renditet e 44-ta në nivel global në Indeksin e SDG-ve për vitin 2026, duke qenë ndër vendet me performancën më të mirë në rajonin tonë.
Por angazhimet nuk i ndryshojnë jetët; zbatimi po.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë amerikanë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve, duke bashkuar ekipin e Kombeve të Bashkuara rreth katër prioriteteve si mbrojtjen e fëmijëve, përgatitjen e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimin e komuniteteve lokale dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu, kemi nënshkruar kuadrin tonë të ri të bashkëpunimit për periudhën 2027–2031 dhe nuk do të lëmë askënd pas, as fëmijët tanë, as komunitetet tona rurale dhe as më të cenueshmit.
Së bashku me Kombet e Bashkuara, partnerët tanë europianë dhe qytetarët tanë, do të vazhdojmë të ecim përpara.
Ju faleminderit shumë”./ZËRI