TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sot vendimin e Gjykatës Speciale që dënoi me 81 vite burg në total, katër ish-krerët e UÇK-së, duke e quajtuar një ndër verdiktet më të rënda.
Në një bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se ngritja e kësaj gjykata në Hagë, ishte e pashmangshme, duke përmendur disa arsye, mes tyre edhe vrasjen e dëshmitarëve. Kryedemokrati theksoi se tashmë rruga e apelimit mbetet, sipas tij, mënyra për të kundërshtuar vendimin.
"Ish-udhëheqja politike e UÇK dhe Kosovës mori nga Gjykata e Dhomave të Specializuara verdikte ndër më të rëndat. Jashtë emocioneve, ngritja e Gjykatës së Kosovës, çdo shqiptar në Kosovë duhet ta dijë se ngritja e saj në Hagë është bërë për shkak të një detyrimi.
Në qoftë se Serbia e ngriti në Beograd, Kroacia në Zagreb, kjo gjykatë e Kosovës u ngrit në Hagë për një motiv, për shkak të vrasjes së dëshmitarëve. Kjo është e vërteta. Dhe gjykata nuk mund të mos ngrihej. Gjykata u ngrit edhe për një arsye të dytë, në mënyrë që tribunali për ish-Jugosllavinë të mos aplikohej më tutje në rastin e Kosovës.
Pra, nuk është një akt i paprecedent, secili nga vendet... por problemi është se Kosova ishte e pushtuar, Kosova ishte viktimë e një agresioni barbar, e një pushtimi barbar. Nuk mund të akuzosh tjetrin se ka ngritur institucionin e zbulimit. Të akuzosh se ka marrë në pyetje. Po cila ushtri në luftë, cila lëvizje guerile në luftë nuk merr në pyetje? Pra, shumë elementë që dëgjuam nga vendimi i shkurtuar, vendimin e gjatë nuk e kam parë, ishin larg në vlerësimin tonë justifikimit të atyre dënimeve që dëgjuam”, thotë ai.
Ky problem ka apelimin si rrugë të vetme. Të gjitha përpjekjet e tjera, i garantoj qytetarët veçse sa ndërlikojnë tashmë jo vetëm ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, por edhe vetë Kosovën", tha Berisha.