TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në selinë e Partisë Socialiste, ku po zhvillon një takim me drejtuesit politikë të qarqeve. Në mbledhje pritet të diskutohet Reforma Territoriale, PS nuk ka ende një konfigurim për hartën territoriale. Raporti nuk u prezantua në seancën plenare të 23 korrikut për shkak të situatës së krijuar dhe bllokimit të foltores së Kuvendit nga opozita.
Sipas qëndrimit të socialistëve, disa bashki të vogla pritet të shkrihen dhe t’i bashkohen bashkive më të mëdha brenda të njëjtit qark. Një nga kriteret e përmendura është që bashkitë me më pak se 12 mijë banorë të mos vijojnë të ekzistojnë si njësi më vete.
Takimi vjen pak ditë nga prezantimi i dokumentit 'Besa', draft të cilin deputetët dhe ministrat do ta marrin me vete gjatë pushimeve për ta studiuar. Brenda 90 ditësh synohet të zhvillohen dëgjesa, përfshirë dhe grupet që protestuan si dhe të bëhen publike dokumente apo të realizohet një vlerësim paraprak, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit.