TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste (PS) ka nisur mbledhjen, që po drejtohet nga kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti, Edi Rama. Kreu i socialistëve tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të ri sa i përket zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe çeljes së kapitujve me BE-në.
Kreu i qeverisë është shprehur se sot po sprovohet aftësia udhëheqëse e mazhorancës, si dhe pjekuria politike e shoqërore.
“Pas një fitoreje historike të zgjedhjeve, çeljes së gjithë kapitujve me Bashkimin Europian në kohë rekord, aq dhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtetbërjes demokratike për Shqipërinë 2030.
Për hir të së vërtetës, unë besoj se duhet të shohim së bashku se jemi në një udhëkryq të ri. Ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara, me një rritje që për nga kohëzgjatja e saj është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme. E teksa Shqipëria vijon të shkëlqejë në çdo instancë ndërkombëtare, projektet në hartim e sipër apo në plan për t’u zhvilluar në këtë mandat, janë më të shumta dhe më domethënëse për nga impakti se kurrë më parë, udhëkryqi paraqet disa rreziqe të cilat kërkojnë një kuptim të drejtë, adresim të vendosur dhe disiplinë të fortë nga ana jonë. Çdo vendnumëro për Shqipërinë sot, është rënie e trendit të rritjes ekonomike dhe fuqisë ekonomike nesër!
Sot po sprovohet aftësia jonë udhëheqëse, pjekuria politike dhe shoqërore, kur duhet të ngjitemi ende më lart dhe kur tanimë, diferencën midis pikës ku jemi dhe ku duhet të mbërrijmë, e bëjnë çdo detaj. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet, gjë që e bëmë, por më e vështirë të ngjitesh lart sot. Çdo hap i ri vjen me një sfidë të re, më komplekse se ajo e mëparshme", theksoi Rama.
/ZËRI