TIRANË-Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin e Kulturës Blendi Gonxhen kanë inspektuar nga afër stadiumin e koncertit, ku në 11 korrik do të performojë reperi amerikan Kanye West. Rama nga stadiumi ka hedhur poshtë pretendimet se janë dhënë dhjetarë e miliona euro për koncertin e West, duke deklaruar se qeveria do të japë vetëm 4 milionë euro.
Sipas kreut të qeverisë nëse ky event nuk do të realizohej do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit, duke nënvizuar se në stadium do të jenë të pranishëm spektatorë nga 80 vende të ndryshme të botës.
Edi Rama: Ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partner shqiptar, gjerman, turq, që kanë ndërmarrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale. Shteti shqiptar është detyruar që të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat e korbat e bulevardit, por 4 milionë, që ne të garantojmë ata mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga 80 shtete dhe janë më shumë se ata që blenë biletat te finalja e Conference League. Nëse eventi nuk do të realizohej, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit. Kjo, sepse ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm dhe hap pas hapi. Finalja e Conference League na solli gjithë atë boom turistësh nga Holanda e Italia. Janë investime për një Shqipëri tjetër.
Ndërkohë Ministri Gonxhja tha se nuk po punohet vetëm për një event, por punohet edhe për infrastrukturë më të mirë për zonën. Gonxhja u shpreh se Shqipëria hynë në një nivel krejt tjetër. “Eagle Stadium”, i vendosur pranë autostradës Tiranë-Durrës, pritet të mirëpresë rreth 60 mijë spektatorë. Çmimet e biletave nisin nga 120 euro, ndërsa paketat VIP shkojnë deri në 339 euro./ZËRI